Botë

Qindra bombardime në Ukrainë dhe Rusi, sulmet më të mëdha me dron, që nga fillimi i luftës

11.11.2024 10:44

Rusia dhe Ukraina kanë kryer sulmet e tyre më të mëdha me dron kundër njëra-tjetrës që nga fillimi i luftës....

Rusia dhe Ukraina kanë kryer sulmet më të mëdha me dronë kundër njëra-tjetrës, që nga fillimi i luftës.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka kapur 84 dronë ukrainas mbi gjashtë rajone, duke përfshirë disa që i afroheshin Moskës. Për pasojë, u anuluan fluturimet nga tre nga aeroportet kryesore të kryeqytetit.
 
Sulmet vijnë mes supozimeve se presidenti i sapozgjedhur i ShBA-së, Donald Tramp, mund të ushtrojë presion mbi të dyja palët për t’i dhënë fund konfliktit. Përpjekja për sulm të Ukrainës ndaj Moskës ishte gjithashtu sulmi më i madh i saj në kryeqytet që nga fillimi i luftës dhe u përshkrua si “masive” nga guvernatori i rajonit. Shumica e dronëve u rrëzuan në rrethet Ramenskoje, Kolomna dhe Domodedovo, thanë zyrtarët. Forcat ajrore ukrainase thanë se 62 dronë të prodhuar nga Rusia u rrëzuan, ndërsa 67 ishin “humbur”. 10 të tjerë u larguan nga hapësira ajrore e Ukrainës duke u kthyer në drejtim të Rusisë, si dhe Bjellorusisë dhe Moldavisë fqinje, shtoi ai.
 
Sulme të tjera u raportuan gjatë natës, me Rusinë që tha se kishte shkatërruar 13 dronë ukrainas pranë rajoneve të Kursk dhe Belgorod. Bombardimet vijnë teksa trupat ruse thuhet se kanë arritur fitoren më të madhe territoriale në tetor që nga marsi 2022, sipas analizës së të dhënave të Institutit për Studimin e Luftës nga agjencia e lajmeve AFP. Nga ana tjetër, Sir Toni Radakin, shefi i shtabit të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar tha se Rusia kishte pësuar muajin e saj më të keq për viktima që nga fillimi i luftës. Forcat ruse pësuan mesatarisht rreth 1.500 të vdekur dhe të plagosur “çdo ditë” në tetor, tha ai.