TENSIONE NË BFI
BFI: Problemet zgjidhen vetëm institucionalisht
29.04.2015 14:26
Janë shtuar tensionet mes Myftinisë së Shkupit dhe kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepit, pas incidentit të së dielës...

Nga Myftinia e Shkupit mohojnë se kreu i BFI-së është sulmuar fizikisht, ashtu siç lajmëruan disa portale, por thonë se Sulejman Rexhepi ka 48 orë afat të kërkojë falje publike nga myftiu dhe Myftinia e Shkupit për ofendimet që, sipas tyre, u ka bërë kryetari i BFI-së.
“Ka pasur konflikt verbal, sharje, nënçmim e kështu me radhë, që nuk i takojnë një udhëheqësit fetar të merret me një oratori dhe me një thënie të tillë. Ne do të vazhdojmë me organet tona, do të vazhdojmë me përkrahjen tonë të imamëve, të hoxhallarëve, të xhematit të Shkupit, dhe kështu që presim nga Reisi të kërkon një falje”- deklaroi myftiu i Shkupit, Ibrahim Shabani.
Por, nga BFI thonë se nëse myftiu i Shkupit dëshiron të zgjidhë problemin, është mirë që këtë ta bëjë në BFI-në, e jo duke lëshuar ultimatume.
“Asnjë problem nuk mund të zgjidhet nëpërmjet rrugës joinstitucionale, e aq më pak nëpërmjet konferencave për shtyp, apo si në rastin konkret me ultimatume e kërcënime. Kanë kaluar mbi 48 orë dhe myftiu nuk e ka pa të arsyeshme që nëse mendon se ka pas ndonjë problem, të vjen në institucionin më të lartë Islam dhe ta bisedon këtë çështje aty ku duhet”- thonë nga BFI.
Sipas BFI-së, vetëm dy ditë më parë në faqen zyrtare të Myftinisë së Shkupit, por edhe nëpër media të ndryshme, vetëm myftiu i Shkupit doli me qëndrimin se nuk ka pasur asnjë incident gjatë Garave Kuranore.
Nga BFI pyesin myftiun Shabani nëse ky ndryshim në deklaratat e tij të fundit po bëhet me instruktim të dikujt apo për interesa personale, pasi BFI vlerëson se myftiu ka rënë nën influencën e disa njerëzve që duan ta përçajnë Bashkësinë Islame dhe besimtarët myslimanë në përgjithësi, në këtë kohë mjaft delikate nëpër të cilën po kalon vendi.
Nga BFI theksojnë se nëpër organet që veprojnë në kuadër të BFI-së ka unitet të fortë.
Me qëndrim zyrtar rreth këtij rasti nesër do të dalë edhe Rijaseti.
ERSAN PAJAZITI
