Hulumtimi për cilësinë e ajrit, të investohet në cilësinë e ajrit në institucione
Fëmijët nëpër shkolla dhe kopshte thithin ajër të ndotur...

Fëmijët nëpër shkolla dhe kopshte thithin ajër të ndotur. Institucionet edukativo-arsimore janë përplot me grimca të dëmshme PM 2.5. Kështu treguan rezultatet e hulumtimit të bërë për cilësinë e ajrit të brendshëm në Kumanovë, Gostivar, Strumicë, Kavadarë dhe Strugë. Në të pestë qytetet vërehet prania e këtyre grimcave prej 40 deri më 80 në metër kub gjatë tërë vitit.
“Mund të konkludojmë se e kemi të njëjtin problem si jashtë, ashtu edhe brenda. Për rreth dy herë më shumë tejkalohet limiti i lejuar i ndotjes së ajrit që po rekomandohet nga OBSh-ja në objektet e brendshme dhe është më së e nevojshme të ndërmerren masa përmes së cilave do të përmirësohet cilësia e ajrit nëpër çerdhe dhe shkolla.”, - deklaroi rektori i Universitetit “Goce Delçev”, Dejan Mirakovski.
Projekti është financuar nga Suedia përmes UNDP-së dhe i njëjti kap vlerën prej 1 milion eurosh. Duhet investuar vazhdimisht në përmirësimin e cilësisë së ajrit nëpër shkolla dhe kopshte, porositën mbështetësit e këtij projekti.
“Siç e dimë të gjithë. Shkupi është ndër qytetet më të ndotura në rajon dhe tani me fillimin e sezonit të ngrohjes të gjithë e ndjejmë ajrin e ndotur. Andaj qëllimi i kësaj iniciative është që të ulet ndotja enorme e ajrit jo vetëm jashtë, por edhe në ambiente të mbyllura.”, - theksoi Armen Grigorian nga UNDP-ja.
“Për këtë qëllim ne i siguruam mjetet nga taksapaguesit suedezë për t’i implementuar masat specifike nëpër çerdhet edhe shkollat, pasi që vlerësojmë se çdo hap në këtë rrugëtim ndikon për të arritur ndryshimin me ajrin e ndotur.”, - u shpreh ambasadorja e Suedisë në RMV, Ami Larson Xhein.
Për të ulur ndotjen e ajrit në çerdhe dhe shkolla, autoritetet e vendit po punojnë në përpilimin e strategjisë afatgjate, si dhe në sigurimin e mjeteve për të siguruar pastrues të ajrit.
“Po punojmë në drejtim të efikasitetit energjetik të shkollave për të ulur praninë e dioksidit të karboni në to. Njëkohësisht po punojmë në ndryshimin e sistemit të ngrohjes, por ajo që është po aq e rëndësishme është se do të punojmë edhe në edukimin e stafit mësimor dhe nxënësve për ruajtjen e ambientit jetësor.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
“Ne si ministri përmes bllok dotacioneve po ndajmë mjete për të mbuluar të gjitha shpenzimet që u nevojiten kopshteve për të siguruar pastruesit e ajrit.”, - theksoi zëvendësministri i PSDR-së, Gjoko Velkovski.
Cilësia e ajrit është po aq e rëndësishme nëpër spitalet e vendit. Për këtë arsye nga viti i ardhshëm parashikohet që të zëvendësohet mënyra e ngrohjes në 10 spitale, tha ministri i Shëndetësisë, Taravari.
“Deri në fund të vitit të ardhshëm do të duhet të implementohet projekti. Bëhet fjalë për dhjetë spitale ku planifikohet të zëvendësohet ngrohja me mazut dhe naftë në një mënyrë tjetër të ngrohjes ku nuk do të kemi më ndotje të ajrit. Për këtë gjë, Qeveria participon me mjete, mirëpo kemi edhe donacione nga OJQ-ja dhe shpresoj se ky projekt do të ndihmojë shumë për të përmirësuar cilësinë e ajrit.”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Projekti “Ballafaqimi me ndotjen e ajrit” zbatohet me partneritet me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. (Rexhep Qamili, TVM2)
