Shëndetësi, BDI: Taravari të japë dorëheqje
11.11.2024 14:33
Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që ministri i Shëndetësisë të japë dorëheqjen...

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, të japë dorëheqjen dhe të marrë përgjegjësinë për disa ngjarje tragjike, që kanë ndodhur në shëndetësi në periudhën e kaluar. Sipas integristëve, ministri ka mungesë përkushtimi dhe përgjegjësie, gjë që është e papranueshme, sidomos kur është në rrezik shëndeti dhe jeta e fëmijëve. Ata akuzojnë të parin e shëndetësisë edhe për zëvendësim të stafit mjekësor shqiptar me personel maqedonas.
“Ky kombinim i servilizmit, korrupsionit dhe paaftësisë po çon në një krizë të thellë, ku qytetarët tanë po paguajnë çmimin më të lartë. Qytetarët kërkojnë që ministri i Shëndetësisë të japë dorëheqjen e menjëhershme dhe të mbajë përgjegjësi për këto dështime të rënda. Gjithashtu, bëjmë thirrje për një hetim të pavarur dhe transparent mbi vdekjet e fundit në Klinikën Pediatrike dhe për ndalimin e menjëhershëm të diskriminimit ndaj stafit mjekësor shqiptar.”, thuhet në akuzat e BDI-së.
Taravari: Edhe me këto raste, BDI-ja bën kalkulime politike
Por, akuzat e tilla të BDI-së, ministri Taravari i cilëson si kalkulim politik i opozitës shqiptare. Ai thotë se me rastin e vajzës pesëvjeçare asesi nuk duhet të politizohet.
“Mendoj se në njëfarë mënyre, sidomos opozita shqiptare, përpiqet të tregojë se tani që s’janë ata në pushtet gjithçka është katastrofë. Edhe po të ishim ne 1, 2 ose tre vite në pushtet, sërish sistemi shëndetësor nuk mund të përmirësohet brenda natës. Kjo që po ndodhë është pasojë e asaj që kemi trashëguar. Gjithsesi nuk duhet të politizojmë rastet kur fëmija ka qenë vërtet i sëmurë dhe patologjia ka qenë vërtet e rëndë, sepse fatkeqësisht në të gjithë botën fëmijët vdesin nga meningo-encefaliti.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
VMRO-DPMNE akuza ndaj LSDM/BDI: Shëndetësinë e kishin fushë për pompim parash
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se gjatë 7 viteve bashkëqeverisje të integristëve dhe social-demokratëve, shëndetësia është përdorur si fushë për pompimin e parave.
“Sipas Raportit të EShR-së të datës 01.01.2022, vlera e pasurisë materiale, nga evidenca materiale e Klinikës, është për 13,9 milionë denarë më e ulët se vlera e shënuar në evidencën e kontabilitetit, ndërsa në fund të vitit. ishte më e ulët për 12 milionë denarë. Ku kanë përfunduar mbi 200 mijë euro? Kjo është vetëm nga një institucion shëndetësor në një vit. Çfarë kanë bërë LSD-ja dhe BDI-ja në pjesën tjetër të objekteve shëndetësore gjatë gjithë sundimit?”, - u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Prokuroria Themelore nuk duhet të presë dhe të hapë një procedurë të bazuar në Raportin e EShR-së. Duhet të ketë përgjegjësi.”, tha Petrushevski.
SANIJE DURAKU
