Botë

Kuvendi i Kosovës, debat rreth propozim-buxhetit për vitin 2025

11.11.2024 15:11

Kuvendi i Kosovës po diskuton rreth propozim-buxhetit për vitin 2025, i cili peshon 3.6 miliardë euro...

Kuvendi i Kosovës po diskuton rreth propozim-buxhetit për vitin 2025, i cili peshon 3.6 miliardë euro. Kryeministri Albin Kurti, duke folur para deputetëve, tha se buxheti për vitin e ardhshëm është 9 për qind më i lartë se sa buxheti i këtij viti. Kurti tha se ky buxhet është zhvillimor dhe për familjen, pasi siç tha ai, secila familje kosovare do të përfitojë nga buxheti si asnjëherë më parë. Kurti, sidomos theksoi se është rritur bruto produkti vendor, aq sa për herë të parë sivjet do ta kalojë shifrën prej 10 miliardë eurosh.
 
“Rritja e punësimit, rritja e qëndrueshme e ekonomisë edhe përballë sfidave më të rënda, e rritja e të hyrave na ka mundësuar që ta kemi këtë buxhet historik prej 3.6 miliardë euro. Për katër vite me radhë rritja ekonomike mesatare ishte 6% dhe në asnjë vit të vetëm nuk ka rënë nën 4%, panë pse u ballafaquam me kriza globale që ndodhin madje njëherë në shekull.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Me qëndrimet e kryeministrit Kurti nuk u pajtuan deputetët e partive opozitare.
 
“Analiza e këtij dokumenti duhet të bëhet në kontekst të premtimeve gjatë mandatit katërvjeçar, jo vetëm si shifra për buxhetin e vitit 2025. Unë po shkoj nëpër disa prej tyre, në arsim 160 çerdhe, shujta për nxënës, digjitalizimi i shkollave, biblioteka për mësimdhënës, banim i përballueshëm për mësimdhënës, shpërblim i mësimdhënësve bazuar në performancë. Asnjëra nga këto nuk është realizuar gjatë këtij mandati.”, - theksoi deputeti i LDK-së, Abdulla Hoti. 
 
Qëndrim të ngjashëm kishin edhe deputetët e PDK-së dhe AAK-së opozitare, të cilët po ashtu nuk do ta mbështesin propozim-buxhetin për vitin 2025, pasi siç thanë ata, i njëjti është përpiluar për qëllime elektorale të partive në pushtet.
 
GYLTENE SINANI