Zërat për përplasjen mes Kasamit dhe Azizit hidhen poshtë nga Azizi dhe Limani

11.11.2024 15:23

Pas zërave që qarkullojnë prej muajsh...

Pas zërave që qarkullojnë prej muajsh për një konflikt mes kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe deputetit të kësaj lëvizjeje, Adnan Azizi, dyshimet janë shtuar pasi kreu i partisë, Bilall Kasami, nuk ishte prezent në mbledhjen e fundit të Lëvizjes “Besa”.

Ministri i Punës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, nga radhët e kësaj partie, tha se kjo ishte mbledhje e një Komisioni që udhëhiqet nga Adnan Azizi, që po punon për riorganizimin e organeve partiake dhe se nuk ka asnjë shkak politik mosprezenca e kryetarit të partisë, Bilall Kasami.

“Janë komisione të cilat janë krijuar për çështjen e organizimit dhe riorganizimit të partisë dhe në atë Komision është i zgjedhur si kryetar i Komisionit, Adnan Azizi, i cili njëkohësisht është edhe sekretar organizativ dhe ne si anëtarë të tjerë, nuk ka të bëjë me asgjë, nuk ka asgjë politike në këtë situatë. Subjekti i Lëvizjes “Besa” është i kompletuar. Rifillojmë organizimin, riorganizimin dhe themelimin e nëndegëve në të gjitha nivelet, në të gjitha zonat, edhe atje ku shqiptarët janë pakicë.”, - theksoi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani.

“Keni mbështetje prej kryetarit Kasami?”, - pyeti gazetarja.

Nga këto pyetje…sido që të jetë, ai është lider i Lëvizjes “Besa”, respektohet hierarkia në strukturën e Lëvizjes “Besa” dhe në të njëjtën kohë meriton lavde për të gjithë unifikimin e faktorit opozitar të dikurshëm, i kompletuar, i përbashkuar në atë që quhet VLEN dhe tani më pjesë përbërëse në Qeveri.”, - deklaroi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani.

Edhe deputeti i Lëvizjes “Besa”, Adnan Azizi, ka hedhur poshtë zërat për një krizë në raportet mes tij dhe kryetarit të partisë, Bilall Kasami.

“Lëvizja “Besa” është super e unifikuar  dhe nuk ju ecën propaganda e përçarjes.”, - ka shkruar Azizi në profilin e tij në rrjetet sociale. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)