Botë
Niveli i lartë i alarmit në Ukrainë, BE-ja vazhdon ta mbështesë Kievin
11.11.2024 15:40
Ukraina në gatishmëri të lartë është në pritje të sulmeve masive ruse....

Ukraina në gatishmëri të lartë është në pritje të sulmeve masive ruse. Banorëve iu kërkua të evakuoheshin për shkak të kërcënimit të bombarduesve rusë. Me zgjedhjen e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara shtrohet pyetja se çfarë do të ndodhë me Ukrainën pasi Trampi të marrë detyrën. Për banorët e Zaporozhjes dhe Mykolaivit, nata ishte veçanërisht e vështirë, sepse të plagosur dhe viktima u regjistruan në sulmet.
“Dyqani ynë është dëmtuar. E gjithë fasada u shkatërrua. Të gjitha dyert janë të dëmtuara, nuk ka mbetur asnjë dritare.”, - tha një banore.
“Nuk kam fjalë ta përshkruaj këtë. E shihni, banesa është zhdukur.”, - tha një banore tjetër.
“Janë të shkatërruara dritaret, dyert dhe grilat. Ishte një valë shpërthimi.”, - u shpreh një banor.
Rusët përparojnë në Kursk, ndërsa Moska sulmon qytetet e Ukrainës, pretendon udhëheqja ushtarake ukrainase. Mediat perëndimore raportojnë se 11.000 koreano-veriorë po luftojnë me batalionet ukrainase. Çështja e përdorimit të armëve perëndimore thellë në territorin rus po ngrihet sërish dhe partnerët amerikanë shpresojnë që Bajdeni të miratojë më në fund raketat me rreze të gjata veprimi në fund të mandatit të tij. Presidenti Zelenski këmbëngul se forca dhe diplomacia duhet të bashkohen për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të siguruar që konflikti të mos përsëritet në të ardhmen.
“Dronët në front, si dhe dronët tanë me rreze të gjata në caqet e thella ushtarake ruse, po bëhen më të aksesueshëm për ushtarët tanë. Përpjekjet e të gjithë atyre që shkatërrojnë pajisjet ruse në front janë gjithashtu të një rëndësie jetike. Këtë javë kemi edhe vendime të rëndësishme nga partnerët tanë Franca, Kanada. Ne po punojmë me partnerët tanë në Shtetet e Bashkuara për paketa të reja të mbrojtjes që mbështesin sistemin tonë të mbrojtjes ajrore.”, - deklaroi kryetari i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Kremlini ka mohuar pretendimet e Uashington Postit se presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Tramp, ka folur në telefon me presidentin rus Putin dhe ka kërkuar që të mos përshkallëzohet konflikti me Ukrainën.
“Ky është shembulli më ilustrues i cilësisë së informacionit që ndonjëherë publikohet edhe në media mjaft të respektuara. Kjo është krejtësisht e rreme, është trillim i pastër, është thjesht dezinformim.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Uashingtoni thotë se është e rëndësishme që financimi i Kievit në luftën aktuale me Rusinë të vazhdojë dhe Shtetet e Bashkuara të mos largohen nga Ukraina. Presidenti Bajden dhe kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë, Tramp, janë planifikuar të takohen të mërkurën. Bashkimi Evropian, me përjashtime, do të vazhdojë të mbështesë Kievin.
FLUTURA LATIFI
