Maqedoni
Këshilli Gjyqësor, zgjidhen 14 kryetarë gjykatash, 2 shqiptarë
29.04.2015 14:47
Këshilli Gjyqësor, pas më shumë se një viti shpallje të konkursit zgjodhi kryetarët e 14 gjykatave themelore dhe 22 gjykatës porotë në Gjykatën Penale në Shkup...

Këshilli nuk zgjodhi kryetarin e Gjykatës së Apelit në Shkup, ku në këtë pozitë një kohë të gjatë ka vetëm kryerës të detyrës.
Nga 14 kryetarët e zgjedhur të gjykatave u zgjodhën 2 kandidatë shqiptarë. Ilir Sulejmani është zgjedhur kryetar i Gjykatës Themelore 2 në Shkup dhe Baki Alili është zgjedhur kryetar i Gjykatës Themelore në Kërçovë. Kryetarët e gjykatave u zgjodhën njëzëri, pa asnjë votë kundër.
“Ne sot edhe për herë të parë implementuam ligjin ku zgjidhen kryetarë të gjykatave, që në dy vitet e fundit, nga ana e Këshillit Gjyqësor, përmes sistemit janë vlerësuar me numër më të madh të pikëve nga kundërkandidatët”- deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Branko Ushkovski.
Mes kandidatëve për kryetarë të Gjykatës Themelore 2 në Shkup, me numër më të lartë të pikëve ishte edhe Shukri Sejdiu, gjykatës i arrestuar në aksionin policor “Justicija”, ku u arrestuan 14 gjykatës.
Këshilli Gjyqësori, për shkak të arrestimit të tij ka vërtetuar se nuk i plotëson kushtet të jetë kandidat për kryetar.
Ai nuk deshi të komentojë se si mundet që gjykatësi me numër më të lartë të pikëve të arrestohet për punë të papërgjegjshme. Ndërkaq, interesi për gjykatës porotë në Gjykatën Themelore1 në Shkup ishte i dobët. Nga 71 vende të lira janë paraqitur dhe zgjedhur vetëm 22 kandidatë.
Nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi, njoftoi se interesi i shqiptarëve në konkursin për gjykatës porotë është shumë i dobët dhe këtë e konstaton edhe fakti që nuk është paraqitur asnjë shqiptarë.
Ndërkohë, gjykatat e vendit që udhëhiqen nga shqiptarë janë edhe Gjykata Themelore në Dibër, Strugë, Tetovë dhe Kumanovë,Gjykata e Apelit-Gostivar dhe Gjykata Administrative-Shkup.
FLORIJE KAMBERI
