Gjyqësori, emërimet në Akademinë e Prokurorëve, Mickoski: Beteja në gjyqësor, e gjatë
11.11.2024 15:53
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron betejë...

Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron betejë të gjatë dhe të rëndë për të shpëtuar Gjyqësorin dhe Prokurorinë, siç shprehet nga instalimet e ish-pushtetit, pasi edhe Komisioni Antikorrupsion reagoi me emërimet e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë.
Mickoski thotë se prokurorë të caktuar janë në shërbim të LSDM-së dhe BDI-së pasi nuk ndërmarrin aksionet e nevojshme për të luftuar krimin e ish-pushtetit.
“Kjo luftë do të jetë e gjatë, rraskapitëse. Të paktë janë ndjekësit e verbër të Qeverisë së mëparshme, por ne do të fitojmë dhe atë që e kam thënë e kam bërë. Ata do të mposhten dhe qytetarët e Maqedonisë do të marrin drejtësinë e merituar, e jo padrejtësi nga disa persona të dëgjueshëm të ish-pushtetit. Ata kohët e fundit janë me sulme të barkut, viruse, kokëdhembje dhe temperaturë kur duhet të veprohet kundër kriminelëve, të cilët ishin simbol i një qeverisje të gabuar shtatëvjeçare.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Komisioni Antikorrupsion ka konstatuar konflikt interesi në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, pasi persona të njëjtë kanë qenë anëtarë në Këshille, por edhe në Akademi, gjegjësisht dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe dy anëtarë të Këshillit të Prokurorëve janë emëruar anëtarë të Bordit drejtues të Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë. Komisioni Antikorrupsion porositi Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve t’i shfuqizojnë vendimet për emërimet. Zhvillimet e fundit vijnë pas nevojës së vazhdueshme për reforma në gjyqësor me një besueshmëri në rënie në vetëm 2%. (Meral Ismaili, TVM2)
