Maqedoni
Komisioni kuvendor për përfaqësim të drejtë, kërkohet plan veprim nga Qeveria brenda 1 muaji
11.11.2024 16:01
Komisioni Kuvendor për mbikëqyrjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve...

Komisioni Kuvendor për mbikëqyrjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve, në seancën e parë konstituive kërkoi nga Qeveria paraqitjen e Planit të Veprimit për përfaqësim adekuat dhe të drejtë të qytetarëve, që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror. Kryesuesi i këtij Komisioni, Talat Xhaferi, tha që Qeveria ka afat deri më 15 dhjetor për ta dorëzuar këtë plan veprimi në Kuvend, ndërsa nga janari i vitit 2025, Komisioni do të përpilojë raporte.
“Komisioni t’i dorëzojë Qeverisë së RMV-së kërkesë për dorëzim të planit aksionar për përfaqësim adekuat dhe të drejtë të qytetarëve përkatës, të gjitha bashkësive në organet e pushtetit shtetëror dhe normal bashkërisht vendosim afatin deri kur të dorëzohet ky plan, mendoj që gjysma e dhjetorit është kohë e mjaftueshme nga sot deri në gjysmën e dhjetorit. Afati 30 ditorë për Qeverinë, mendoj se është afat i mjaftueshëm që të mund të përgatisin të gjitha të dhënat.”, - deklaroi Talat Xhaferi nga BDI.
Halil Snopçe nga VLEN-i thekson se kjo nuk ka të bëjë me “balancuesin”, por që bëhet fjalë për Komision, i cili do të mbikëqyr implementimin e përfaqësimit të drejtë.
“Ky është vetëm Komision për mbikëqyrjen dhe implementimin e përfaqësimit të drejtë dhe barabartë nëpër instancat e administratës publike. Në rrjedhë e sipër është puna e grupit punues për përgatitjen e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat për shkak se kjo është kategori kushtetuese dhe për t’u zbatuar patjetër duhet të realizohet me një ligj përkatës.”, - theksoi Halil Snopçe nga VLEN-i.
Komisioni mund të japë rekomandime, mendime dhe konkluzione, të cilat duhet të zbatohen nga organet e Qeverisë dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet, lidhur me situatën për përfaqësim përkatës dhe të drejtë të qytetarëve që i përkasin të gjitha bashkësive. Komisioni përbëhet prej 12 deputetëve. Ndryshe, Komisioni për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të bashkësive është themeluar për herë të parë në Kuvend këtë mandat.
FLORIJE KAMBERI
