Maqedoni

ASh - krahu i Selës kontestoi Kongresin e ASh-së nga Taravari

11.11.2024 16:27

Kongresin e jashtëzakonshëm që e mbajti krahu i Arben Taravarit dje në Tetovë...

Kongresin e jashtëzakonshëm që e mbajti krahu  i Arben Taravarit dje në Tetovë, ka qenë vetëm një aheng, me qëllim për të manipuluar opinionin, tha Remzi Mehmeti, nga krahu i Ziadin Selës. Sipas Mehmetit, për të qenë i rregullt kongresi, duhet të jenë delegatët e zgjedhur, sipas këtij të fundi, në kongresin e djeshëm kishte njerëz nga partitë tjera, që sipas tij me vite e kanë luftuar ekzistencën e ASh-së.
 
“Dje nuk kishte Kongres ASh-ja, as të rregullt e as të jashtëzakonshëm, por një gjymysh spektakël alla Taravarçe, një farsë të turpshme, me qëllim të manipulimit të opinionit. Të drejtat, obligimet dhe rregullat e sjelljes brenda ASh-së, janë të shkruara në statusin e ASh-së. Për t’u quajtur Kongres ahengu i djeshëm, duhet pjesëmarrës të jenë delegatët e Kongresit të zgjedhur në Kongresin e rregullt të ASh-së në vitin 2022 dhe që janë të regjistruar në Gjykatën Themelore të Tetovës, mandati i të cilëve me statut zgjat katër vite. Dje nuk kishte delegat ahengu, por kishte njerëz edhe nga partitë tjera një pjesë e madhe e të cilëve kanë luftuar në frymë dhe germë ASh-në, kurrë anëtar të saj nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë.”, - deklaroi Remzi Mehmeti nga Aleanca për Shqiptarët - krahu i Ziadin Selës.
 
Ka reaguar edhe avokati mbrojtës, Abidin Abduli, krahu i Arben Tarvarit, pas seancës që ishte sot në Gjykatën e Tetovës, se kujt i takon ASh-ja.  Ai tha se gjyqi do ta përcaktojë se kush ka të drejtë, si për partinë po ashtu edhe për delegatët.
 
“Pas elaborimit tonë, sot gjykatësi e anuloi seancën me ç’rast nga arkiva e gjykatës do të kërkohet që të merret lënda e partisë ku është statuti i vitit 2022, pas çka do bëhet krahasimi i delegatëve dhe do të shohim se kush do të ketë të drejtë.”, - theksoi avokati i ASh-së, krahu i Arben Taravarit, Abidin Abduli. 
 
VISAR SADIKI