Maqedoni

Ambasada çeke në RMV ndihmon spitalin e Kumanovës

11.11.2024 17:01

Materniteti në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit të Kumanovës ka pranuar sot një inkubator...

Materniteti në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit të Kumanovës ka pranuar sot një inkubator të ri për kujdes intensiv dhe gjysmë intensiv për foshnjat e porsalindura në vlerë prej mbi 1 milion denarëve. 
 
Bëhet fjalë për donacion të arritur nga ambasada e Çekisë në RMV. Në pranimin e këtij donacioni në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
“Promovojmë një aparat të ri, i cili është shumë i rëndësishëm për repartin e Neonatalogjisë, e që është donacion nga ambasada e Çekisë në RMV. Bëhet fjalë për një inkubator, një prej modeleve më të reja dhe besoj e uroj që t’u lehtësojë punën neonatologëve, si dhe gjinekologëve të cilët gjithsesi do të punojnë në këtë spital.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
“50% e foshnjave të sapolindura kanë ndonjë nevojë, qoftë për shkak të lindjes së parakohshme ose për shkak të infeksioneve gjatë lindjes. Këto kanë nevojë për mbështetje nga këto aparate. Në aparate të këtilla përfundojnë edhe foshnjat të lindura me peshë të ulët trupore. Përdorimi i tyre ditor gjatë vitit është 30%, që do të thotë se gjatë vitit madje 104 ditë kemi foshnja që qëndrojnë në aparate të këtilla.”, -  deklaroi drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës, dr. Stefan Trajanovski. 
 
Donacioni në fjalë është i mirëseardhur, pasi që do të jetë në funksion të vazhdueshëm gjatë zhvillimit të foshnjave të sapolindura, për çka Ministria e Shëndetësisë e ka falënderuar ambasadën Çeke për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sistemit tonë shëndetësor.
 
FATLUM AQIFI