Botë
Azerbajxhan, Konferenca e OKB-së për ndryshimet klimatike
11.11.2024 18:00
OKB-ja u bëri thirrje liderëve globalë që t’i japin përparësi veprimeve urgjente klimatike...

OKB-ja u bëri thirrje liderëve globalë që t’i japin përparësi veprimeve urgjente klimatike dhe reformës financiare, duke theksuar koston ekonomike dhe njerëzore të mosveprimit, këto janë pjesë të disa konkluzioneve, të cilat po diskutohen në kuadër të Konferencës së 29-të e Palëve në UNFCCC-së, që filloi në Baku të Azerbajxhanit, duke mbledhur së bashku liderë botërorë.
Në këtë Konferencë po merr pjesë edhe delegacioni i vendit tonë ku është e kryesuar nga presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Maxhiti dhe ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, ku janë paraparë edhe takime me liderë botërorë.
Konferenca do të vazhdojë deri më 22 nëntor dhe aty do të ketë diskutime rreth ngrohjes globale, përshtatjes klimatike dhe qëndrueshmërisë.
“Ne duhet të jemi të sinqertë dhe të themi se politikat e deritanishme po na dërgojnë deri tek një botë për 3 gradë Celsius më e ngrohtë. Dhe këto temperatura do të jenë katastrofale për miliarda njerëz. Prandaj, duhet të themi se jemi në prag të dështimit total. Problemet klimatike nuk janë problemet e së ardhmes, por ato janë këtu në mesin tonë.”, - deklaroi kryetari i KOP 29, Muhtar Babev.
“Një synim i ri ambicioz i financimit të klimës është tërësisht në interesin e çdo kombi të vetëm, përfshirë më të mëdhenjtë dhe më të pasurit, prandaj duhet të gjithë ta mbrojmë zhvendosjen drejt energjisë së pastër, me investime të parashikuara që arrijnë në 2 trilionë dollarë në vitin 2024.”, - theksoi sekretari ekzekutiv i Konventës së OKB-së për ndryshimet klimatike, Simon Stiell.
Stiell më tej bëri thirrje se nëse temperaturat globale vazhdojnë të rriten në mënyrë të pakontrolluar, sipas tij e gjithë ekonomia globale do të gjunjëzohet.
FITIM KRYEZIU
