Maqedoni

Mirëmbajtja e ndërtesave kolektive, 1500 ankesa në vit, mungojnë inspektorët

29.04.2015 15:11

1.500 ankesa në vit nga banorët për mirëmbajtjen e ndërtesave kanë arritur deri te Komisioni Shtetëror kompetent...

Banorët më së shumti ankohen për mirëmbajtjen e infrastrukturës komunale në hapësirat e përbashkëta.  
 
Sipas kryetarit të Komisionit Rregullator, Dushko Kadievskit, një prej problemeve më të mëdha në segmentin e banimit është edhe mungesa e inspektorëve.
 
“Në Shkup ka inspektorë, por nga një për çdo komunë, që nuk është e mjaftueshme, pasi që nevojiten minimum nga dy. Problem është edhe ajo që inspektorët nuk janë të specializuar vetëm për banim, por zakonisht kanë ingerenca për më shumë veprimtari"- deklaroi kryetari i Komisionit Rregullator, Dushko Kadievski.
 
Por, nga Organizata Joqeveritare "Habitat Maqedoni", e cila me problematikën e banimit merret së paku katër vjet, thonë se për një pjesë të problemeve përgjegjës janë edhe vetë banorët e këtyre ndërtesave.
 
“Jo rrallë herë, krahas shtëpisë së tyre të rregulluar bukur, pasqyrave në korridoret e ndërtesave, është krejtësisht ndryshe¬ mure të pista dhe të zverdhuara, ashensorë jofunksional, mbeturina para dyerve”- tha zëvendësdrejtoresha e "Habitat Maqedoni", Liljana Alçeva.
 
Është mirë që për banesat kolektive të kujdesemi të gjithë kolektivisht, e më pas të kërkohet edhe përgjegjësi nga kompetentët.
 
Megjithatë, ka kaluar koha kur pastrimi i ndërtesave kolektive ishte si njëfarë detyrimi dhe tani secili prej nesh e ka më të lehtë tua hedhë fajin të tjerëve, për një gjë për të cilën duhet të kujdesemi edhe ne vetë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI