Maqedoni
Mickoski: Ahmeti dhe BDI-ja, faktorë destabilizues
12.11.2024 13:41
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe BDI-ja, në bazë ditore po bëhen faktorë destabilizues....

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe BDI-ja, në bazë ditore po bëhen faktorë destabilizues. Kështu deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski, i pyetur të komentojë deklaratën e kreut të BDI-së, Ahmeti, se Qeveria aktuale po i shkatërron të gjitha të arriturat e deritanishme në vend që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe se nëse preket Ligji i gjuhëve, të gjithë shqiptarët do të ngrihen në këmbë.
“Jemi mësuar me deklarata të tilla të zotit Ali Ahmeti, të jetë faktor destabiliteti me retorikë luftarake të thërret në trazira, destabilizim e të ngjashme, por nuk mendoj se ajo do të shkaktojë pikërisht atë që e thotë ai, sepse edhe shqiptarët dhe të gjithë qytetarët janë të vetëdijshëm për tërë atë që e ka bërë personalisht ai, por edhe ata rreth tij në 20 vitet e kaluara derisa ishin në pushtet. Vlerësoj se porosia ka të bëjë me të njëjtit gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të cilët ai në Reçicë dhe ai në Bihaçka i kanë vendosur në Gjykatën Kushtetuese. Ligji për gjuhët është në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse i shihni atje do t’i gjeni njerëzit e dalë nga Reçica e vogël dhe Bihaçka, prandaj vlerësoj se presioni ndaj atyre njerëzve vazhdon. Tani po kërkohet strukturë bartëse për ta bartur porosinë, por nuk mendoj se ajo është diçka serioze, por sido që të jetë ai vazhdon të jetë faktorë destabilizues dhe kjo më shqetëson edhe mua edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, që zoti Ali Ahmeti dhe BDI-ja në bazë ditore po bëhen gjithnjë e më tepër faktorë destabilizues.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
BDI: Mickoski po kërcënon politikanët e opozitës
Ndërkohë nga BDI-ja e kanë akuzuar kryeministrin se po keqpërdor pozitën e tij shtetërore për të kërcënuar politikanët e opozitës. Kjo, sipas BDI-së, është një përpjekje për të krijuar perceptime të gabuara në opinionin publik dhe për të kufizuar hapësirën e opozitës për të vepruar.
“Kryeministri nuk është prokuror, as nuk ka të drejtë të abuzojë pozitën e tij për qëllime të luftës politike. Këto kërcënime të vazhdueshme janë të paligjshme dhe tregojnë një arrogancë që është shenjë e pasigurisë së tij. Qeverisja e bazuar në frikë dhe manipulim nuk mund të jetë një standard në demokracinë tonë. Nëse kryeministri do të ishte vërtet i sinqertë në luftën kundër korrupsionit, ai do të pranonte thirrjen tonë për një proces vetingu të pavarur dhe ndërkombëtarisht të ndërmjetësuar, që të përfshijë të gjitha partitë dhe politikanët, përfshirë vetë atë. Vetëm një proces i tillë transparent dhe gjithëpërfshirës do t’i shërbente demokracisë dhe ndërtimit të një klime politike të besueshme për qytetarët tanë. I bëjmë thirrje kryeministrit të ndalojë menjëherë këto praktika të dëmshme, të ruajë dinjitetin e pozitës së tij dhe të respektojë ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e institucioneve. Demokracia nënkupton respektim të ligjit, transparencë dhe një garë politike të ndershme, ku çdo palë mund të veprojë e pandikuar nga kërcënimet dhe presionet e pushtetit ekzekutiv.”, thuhet në reagimin e BDI-së ndaj një deklarate të kryeministrit se disa prokurorë kur duhet të realizojnë ndonjë aksion ndaj, siç tha ai kriminelëve të pushtetit të kaluar 7-vjeçar, paraqiten si të sëmurë. Mickoski nuk pajtohet me deklaratat se ai po kërcënohet.
“Jo nuk do të thoja se kanosem, ku keni dëgjuar se po kërcënohem. Por, po duhet të shqetësohen kriminelët politik të cilët vitet e kaluara, e do të thoja edhe që me dekada ishin pjesë e pushtetit, ata duhet të shqetësohen.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Sipas Mickoskit, ata janë të shqetësuar sepse janë mësuar që t’u qëndrojnë mbi kokë prokurorëve.
FLORIJE KAMBERI
