Maqedoni
Ngërç në Komisionin për Mbikëqyrjen e ASK-së, nuk hapet diskutim për emërimin e Hristovskit
12.11.2024 14:52
Informacioni i deputetëve të LSDM-së për t’i dhënë dritë dyshimeve për emërimin e jashtëligjshëm të Bojan Hristovskit...

Informacioni i deputetëve të LSDM-së për t’i dhënë dritë dyshimeve për emërimin e jashtëligjshëm të Bojan Hristovskit, drejtor i ASK-së, nuk arriti të shqyrtohet në seancën e sotme të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Punës së ASK-së dhe Agjencisë së Kundërzbulimit. Pengesë u bë kërkesa e deputetëve të VMRO-DPMNE-së, që fillimisht të shqyrtohet nevoja për të vizituar Agjencinë për kundërzbulim dhe ASK-në. Kryetari i komisionit, Skender Rexhepi, refuzoi shqyrtimin e vizitave eventuale më 3 dhe 16 dhjetor në mungesë të certifikatës së sigurisë. Vijoi përplasje argumentesh me deputetët e VMRO-DPMNE-së.
“Në momentin që as unë dhe as zëvendësi im nuk kemi certifikatë sigurie, këto pika unë nuk mund t’i fus në rend dite, pasi që unë duhet të jem ai i cili duhet të jetë pjesë e vizitave. Thjesht duhet të kërkojmë mënyrë se si të respektohet procesi i marrjes së certifikatës së sigurisë.”, - deklaroi kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e ASK-së, Skender Rexhepi.
“Kryetar, unë nuk e di se në cilën pjesë nuk kuptohemi. Certifikatën ju ndoshta nuk do ta fitoni deri në fund të mandatit.”, - theksoi koordinatori i VMRO – DPMNE-së, Nikolla Micevski.
“Atëherë ndoshta deri në fund të mandatit nuk do të ketë gjë të tillë.”, - u shpreh kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e ASK-së, Skender Rexhepi.
Sipas socialdemokratëve, ardhja më kot e Hristovskit në Kuvend, konfirmon dyshimet për emërimin e jashtëligjshëm të tij. Ata akuzojnë pushtetin se ik nga përballja me opinionin e gjerë. Do të iniciojnë ndryshimin e rregullores, ndërkaq s’do të heqin dorë nga skanimi i emërimit të Hristovskit.
“Duke ditur rëndësinë e punës së shërbimeve, por duke e ditur gjithashtu edhe qëllimin e këtij pushteti, dhe këtë e pamë sot që t’i vendosë në funksion partiak këto shërbime, unë personalisht besoj se ky do të jetë edhe qëndrimi i grupit tonë parlamentar, do të mbështesim çdo mënyrë të zgjidhjes konstruktive që ky komision të nisë punën.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska.
Që komisioni të nisë punën, nga VMRO-DPMNE-ja i propozuan opozitës të iniciojë ndërrimin e Rexhepit, pasi justifikojnë kërkesën e tyre.
“Nëse kanë mospajtim me kryetarin, nëse kanë revoltë sa i takon punës së komisionit, lirisht mund të dorëzojnë interpelancë ndaj kryetarit të komisionit, ne do ta mbështesim.”, - u shpreh deputeti i VMRO – DPMNE-së, Toni Jarevski.
Emërimi i Bojan Hristovskit kontestohet nga socialdemokratët në pjesën e mungesës së arsimit adekuat, mosnënshtrim të vetingut gjatë reformave të shërbimeve, si dhe posedimit të certifikatës së rreme për njohjen e gjuhës angleze.
MERAL ISMAILI
