Kuvend, debat mbi Strategjinë fiskale për 2025-2029

12.11.2024 15:26

Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski...

Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, para deputetëve elaboroi pikat kryesore të Strategjisë financiare për Republikën e Maqedonisë së Veriut 2025-2029.

Sipas tij, Strategjia do të jetë mbështetje për stabilitetin makroekonomik, mbështetje për aktivitetet ekonomike përmes konsolidimit fiskal, përmirësimin e menaxhimit me financat publike dhe mbajtjen në nivel të lartë të shpenzimeve kapitale.

“Me projektimet e reja fiskale planifikojmë që gradualisht të zvogëlojmë deficitin buxhetor. Me buxhetin e vitit 2025 planifikojmë të jetë në nivel prej 4% nga bruto prodhimi vendor. Në vitin 2026 të jetë 3.5%, në vitin 2027 dhe 2028 nga 3% dhe nga viti 2029 të ulet në 2.8%.”, - deklaroi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.

Parashikimet e parapara në Strategjinë fiskale u kundërshtuan nga deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, sipas të cilët evidentohen gabime dhe kundërshtime mes Strategjisë dhe buxhetit.

“Strategjia fiskale është larg realitetit dhe asaj se çfarë po ndodh, sepse plani i ardhshëm që do ta diskutojmë muajt e ardhshëm e ai është buxheti, janë plotësisht kontradiktorë. Prandaj, vlerësoj se pas një viti apo nga fundi i vitit të ardhshëm mund të presim të kemi version të reviduar të Strategjisë fiskale. Padyshim siç e shohim diku në mes të muajit dhjetor do të ketë  buxhet të ri, pasi që atë që e votuam në rebalanc nuk ishte real dhe do t’i përmirësoni gabimet që ua treguam atëherë.”, - theksoi Fatmir Bytyqi nga LSDM.

Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja, Strategjinë financiare dhe buxhetin e shohin shumë premtues për zhvillimin e vendit, ndërsa akuzojnë pushtetin paraprak për keqpërdorime.

“Në këtë strategji mund të shihet vetëm një punë, ndryshim të filozofisë ekonomike dhe jo të filozofisë që i nxit shpenzimet që ju e kishit Strategji kryesore për të cilën ju ndodheni këtu me 150 mijë vota dhe 18 deputetë, por politikë ekonomike që bazohet në financim dhe realizim të investimeve, direkte kapitale. Do të jetë buxhet që do të shpenzohet në projekte dhe jo buxhet që do të vidhet nga futbollistë në zyrë dhe njohës të tillë të ekonomisë, që sollën shtetin në këtë gjendje.”, - u shpreh Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.

Sipas VMRO-DPMNE-së, buxheti i ri premton paga më të larta, pensione më të larta, realizimin e investimeve kapitale dhe konsolidim financiar ekonomik të vendit. (Florije Kamberi, TVM2)