Maqedoni
Ndotja e ajrit, Shkupi në vendin e 5-të në Evropë, Autoritetet: Po marrim masa afatshkurtra dhe afatgjata
12.11.2024 15:42
Shkupi vazhdon të thithë ajër të ndotur. Sot kryeqyteti zë vendin e 5-të në Evropë për ajrin më të ndotur...

Shkupi vazhdon të thithë ajër të ndotur. Sot kryeqyteti zë vendin e 5-të në Evropë për ajrin më të ndotur, ndërsa në nivel botëror është në mesin e 20 vendeve të para. Nga Ministria e Ambientit thonë se në kontinuitet po e ndjekin gjendjen me cilësinë e ajrit dhe rregullisht i informojnë qytetarët, ndërsa paralajmërojnë edhe aktivitete shtesë.
“Me fillimin e sezonit të ngrohjes dhe ndryshimin e kushteve të motit krijohen kushte për grimca ndotëse të ajrit, që ndikojnë ndaj shëndetit të qytetarëve. Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor punon në kontinuitet për realizimin e masave afatgjate për zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Këtë vit ka projektuar disa aktivitete konkrete dhe i ka orientuar të gjitha resurset në dispozicion, në marrjen e masave konkrete me të cilat do të arrihet efikasitet në zvogëlimin e ndotjes së ajrit.”, bëjnë të ditur nga Ministria e Ambientit.
Në këtë ministri është formuar grup intern për ajër të pastër, nga përfaqësues të të gjithë sektorëve relevant të institucioneve, i cili do t’i propozojë Qeverisë plan aksional, me masa konkrete afatshkurtra dhe afatgjate për përmirësimin e kualitetit të ajrit. Për uljen e ndotjes së ajrit punojmë intensivisht, thotë edhe kryeministri, Hristijan Mickoski.
“Faktori më i madh për ndotje është sistemi me të cilin ngrohen shtëpitë, i cili ende shfrytëzon dru dhe gjithçka tjetër, vaj, paket, apo mobilje të vjetra, që është 60% e shkaktarit të ndotjes dhe nivel të lartë të grimcave PM 2.5 dhe PM 10. Kjo nuk zgjidhet brenda natës, pasi asgjë nuk është bërë. Ne tani jemi në kërkim të partnerëve, të cilët në kushte të tregut, e jo të privilegjuar, siç kishte investime strategjike në të kaluarën, së bashku me Qeverinë do të investojnë në sistem për ngrohje të shtëpive tona që do të jetë rezultat i djegies së gazit natyror, përkatësisht centraleve kogjenerative, që do të prodhojnë edhe energji elektrike edhe gaz. Kemi në plan të ndërtojmë disa dhe në atë mënyrë vlerësojmë se për 60% do të ulet ndotja.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM: Qeveria nuk po merr asnjë masë kundër ndotjes
LSDM-ja opozitare ka akuzuar pushtetin, për mosndërmarrjen e asnjë mase kundër ndotjes së ajrit.
“Kur ishte në opozitë, Hristijan Mickoski premtoi një miliard euro investime për mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e ndotjes deri në 50%. Ku është tani miliardi, që e premtonte Mickoski për uljen kundër ndotjes, ku janë masat për uljen e ndotjes për 50%?! Ky është edhe një dëshpërim edhe një premtim i parealizuar i Mickoskit.”, - theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Hulumtimet flasin se cilësia e ajrit është edhe më e ndotur, sidomos në ambiente të mbyllura, duke përfshirë çerdhet dhe shkollat, ku niveli i ndotjes është dyfish më i lartë nga ajo që është e lejuar nga OBSh-ja. Këtë e ka konstatuar një hulumtim i realizuar në 5 komuna të vendit.
GYLTENE SINANI
