Kulturë
Përkujtohet jeta dhe vepra e Memedali Hoxhës, hartues i Abetares dhe autor i letërsisë për fëmijë
12.11.2024 16:07
Me rastin e 100-vjetorit të jetës dhe veprës së Memedali Hoxhës, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup mbajti tribunë shkencore...

Me rastin e 100-vjetorit të jetës dhe veprës së gazetarit, pedagogut, autorit të letërsisë për fëmijë, Memedali Hoxha, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup mbajti tribunë shkencore, ku nëpërmjet kumtesave, studiues të njohur nga Katedra dhe Universitet të tjera në vend pasqyruan veprimtarinë letrare, duke e konsideruar thesar të çmuar të letërsisë për fëmijë.
“Në vazhdën e aktiviteteve, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, gjatë muajit nëntor, sivjet ia ka kushtuar këtë tribunë shkencore jetën dhe veprimtarisë së poetit, Memedali Hoxha, autorit të Abetares dhe autorit të valles së shkronjave dhe një varg poezish, të cilat i ka botuar.”, - deklaroi shefi i Katedrës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Ismet Osmani.
“Ne, trashëgimtarët e Memedali Hoxhës, jemi shumë krenarë për veprimtarinë e tij. Jemi munduar që ta përcjellim me gjenerata mesazhin e tij. Fjala e tij ishte vetëm “Arsim i gjeneratave të reja”, këtë kërkonte ai. Përmes poezive të bëra enkas për fëmijë, që rrallë kush i ka këto aftësi, sepse duhet tjetër lloj procesi i të menduarit. Babai im, në ato kohëra të vështira, arriti të krijonte opusin e tij, arriti të shkruante disa vepra që sot e kësaj dite përsëriten.”, - theksoi djali i Memedali Hoxhës, Bujar Hoxha.
“Memedali Hoxha ka arritur të hartojë një Abetare, që dallon nga ato të deritanishmet. Shkrimtari që ka ditur të krijojë vetë për fëmijët dhe e ka njohur botën fëmijërore. Ishte e pashmangshme që të mos ketë Abetare, sepse do të ishte si epitafi i Pestallocit - “Gjithçka për të tjerët, asgjë për veten”. Ata që merren me Abetare, burim kryesor i kanë shkrimtarët për fëmijë, siç e kemi Memedali Hoxhën.”, - u shpreh prof. dr. Avzi Mustafa.
“Siç e kishte Kosova Esat Mekulin, që ndikoi aq shumë në letërsinë e Kosovës, ne kishim Memadali Hoxhën në Maqedoni dhe ishte njëri ndër poetët më të mirë për fëmijë dhe një gjeneratë e jona jemi rritur me atë. Kohën e fundit kemi krizë mes shkrimtarëve për fëmijë. Në atë kohë kemi pasur Fejzi Bojkun dhe Memadaliun, që na kanë shtyrë edhe neve të shkruajmë.”, - theksoi shkrimtari, Kalosh Çeliku.
Memedali Hoxha rrjedh nga një familje e nderuar me tradita arsimore e kombëtare. Shkollën fillore e kreu në gjuhën serbokroate në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme – Medresenë në Shkup, në prag të Luftës së Dytë Botërore, ndërkaq kursin pedagogjik tremujor në Normalen “Sami Frashëri” në Prishtinë, më 1942. Punoi si mësues, pedagog, gazetar, redaktor i “Flakës së Vëllazërimit”, redaktor revistash për fëmijë, hartues e përpunues tekstesh e abetare shkollore dhe autor artikujsh të shumtë. Për punën e tij patriotike ai u burgos në vitin 1968. Vdiq në vitin 1991.
FARIJE DAUTI BAKIJU
