Aliji: Kodra e Diellit, me probleme të shumta
Drejtor i ri, Abdulgani Aliji, ka nisur punën në Kodrën e Diellit....

Drejtor i ri, Abdulgani Aliji, ka nisur punën në Kodrën e Diellit me probleme të vjetra. Sipas drejtorit, kjo pikë turistike është lënë pas dore dhe se të gjitha teleferikët janë pa miratim teknik, ndërsa llogaria bankare e kësaj drejtorie është zero dhe mungojnë shumë punëtorë.
Alija tha se në funksion do të vendosin hotel “Sllavija”, ndërsa hoteli “Kodra e Diellit” do të jetë jashtë funksionit, shkaku i kushteve të mjerueshme. Ndërsa drejtori, Abdulgani Aliji, ka paralajmëruar edhe një revizion të punës së ish-udhëheqësit të Kodrës së Diellit.
“Kam gjetur punëtorë me paga të papaguara për dy muaj dhe asnjë fond për përgatitjet e sezonit, të cilat janë të domosdoshme. Problemi më i madh është gjendja e teleferikëve, që ende nuk kanë pranim teknik dhe jemi me vonesë në këtë drejtim. Megjithatë, kemi angazhuar njerëz dhe kemi nisur procedurat me shpresë se deri në fillim të sezonit gjithçka do të jetë gati. Do të vëmë në funksion hotelin “Sllavija”, pasi hoteli “Kodra e Diellit” është në gjendje të mjerueshme dhe nuk përmbush as kushtet minimale për hapje.”, - deklaroi drejtori i Kodrës së Diellit, Abdulgani Aliji.
Ndërsa drejtori Abdulgani Aliji ka paralajmëruar edhe një revizion të punës së ish-udhëheqësit të Kodrës së Diellit.
“Ne, si udhëheqësi, dhe Këshilli Mbikëqyrës kemi miratuar kërkesën për një kontroll të brendshëm për të hetuar keqpërdorimet e mundshme dhe do të insistojmë që ndërmarrja jonë të ketë një kontroll të rregullt të brendshëm.”, - theksoi drejtori i Kodrës së Diellit, Abdulgani Alija.
Edhe pse me plotë vështirësi po ballafaqohet qendra turistike Kodra e Diellit, drejtori i ri ka premtuar se sezoni i ri do të fillojë në kohë. (Visar Sadiki, TVM2)
