Sulme të ashpra ruse në zonën e Kurskut, BE-ja paralajmëron për globalizimin e luftës

12.11.2024 17:10

Rusia mobilizoi rreth 50.000 trupa në rajonin e Kurskut...

Rusia mobilizoi rreth 50.000 trupa në rajonin e Kurskut, duke përfshirë një kontingjent nga Koreja e Veriut.

Mediat ruse pretendojnë se presidenti Putin ka dhënë udhëzime të qarta që Kursku të jetë nën kontrollin e plotë të Moskës deri në fund të vitit. Sulmet me dronë vazhdojnë, të dyja palët raportojnë për viktima civile.

“Kemi mbajtur roje gjithë natën, unë, gruaja ime, miqtë.”, - tha një  banor.  

“Të tre fëmijët vdiqën. Ata i kërkonin për 13 orë. Në situata të tilla është e pamundur të qëndrosh larg, është e pamundur. Po më thyhet zemra, kam edhe katër nipër dhe jam shumë i shqetësuar për ta.”, - tha një banore. 

Presidenti Zelenski po u kërkon sërish partnerëve të Ukrainës armë me rreze të gjata.

“Djemtë tanë po mbajnë prapa një grup mjaft të madh të trupave ruse  50.000 trupa të ushtrisë okupuese. Forcat ruse kanë reduktuar sasinë e artilerisë që përdorin dhe kjo është e dukshme në front, kështu që ne kemi nevojë për zgjidhje afatgjate nga partnerët tanë nga Amerika, Britania dhe Gjermania. Sa më tej mund të godasin raketat dhe dronët tanë, aq më pak fuqi luftarake reale do të ketë Rusia.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Pasi Kremlini dhe Peniani ratifikuan një marrëveshje të ndërsjellë të mbrojtjes midis Rusisë dhe Koresë së Veriut, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë ka paralajmëruar globalizimin e luftës.  

“Pa sasinë e madhe të municioneve që Koreja e Veriut i ofron Rusisë, Moska nuk do të ishte në gjendje të vazhdonte luftën. Koreja e Veriut dhe Irani janë mbështetës të mëdhenj të Rusisë. Prandaj, është shumë shqetësuese që ata jo vetëm të sigurojnë armë, por edhe të dërgojnë ushtarë, që do të thotë pjesëmarrje direkte në luftë. Deri më tani, me sa dimë, janë 10.000 ushtarë. Pyetja është, a do të ketë më shumë në të ardhmen?!”, - theksoi përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Xhosep Borrell.

Pretendimet se lufta duhet të përfundojë po bëhen gjithnjë e më të forta. Vendet perëndimore, siç pretendon CNN, kanë filluar të flasin shumë më pak për fitoren e Kievit në fushën e betejës dhe shumë më tepër për negociata.

Administrata aktuale në Uashington thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të tërhiqen nga Ukraina, pasi Donald Trampi të marrë detyrën si president në janar. (Flutura Latifi, TVM2)