Ekonomi
Sektori ekonomik, apel për bashkëpunim rajonal
29.04.2015 15:42
Paralajmërimet e BE-së për të investuar në ndërtimin e Korridorin 8 dhe 10 duhet të vënë në lëvizje Qeverinë e Maqedonisë dhe Bullgarisë për shfrytëzimin e 1 miliard eurove të vëna në dispozicion...

Kështu vlerësoi në kuvendin vjetor të Odës Ekonomike Maqedono-bullgare kryetari i kësaj ode, Zore Temellkovski, sipas të cilit, nuk duhet lejuar që edhe në 5 vitet e ardhshme komunikacioni të zhvillohet në kalldrëmet ballkanike.
“Paralajmërimet e fundit të BE-së se është e gatshme të ndajë 1 miliard euro për Korridorin 8 dhe 10 nuk duhet t’i lënë indiferentë qeveritarët në Shkup dhe Sofje, të cilët do të jenë fajtorë nëse nuk ndërtohet hekurudha dhe magjistralja drejt dy kryeqendrave”- deklaroi kryetari i Odës Ekonomike Maqedono-bullgare, Zore Temellkovski.
Angazhimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Ekonomisë në Maqedoni për ndërtimin e këtyre korridoreve nuk do të mungojë, premtoi me këtë rast ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri. Ai tha se qeveria është e kyçur aktivisht në projekte konkrete, që do të mbështeten nga fondet evropiane.
“Në fund të vitit të kaluar, në konferencën e cila u mbajt nën patronatin e kancelares Merkel, saktë u përcoll porosia se Evropa është interesuar të përkrah projekte rajonale, andaj edhe ne si qeveri edhe Ministria e Ekonomisë punojmë në drejtim të dorëzimit të projekteve konkrete, të cilat do të jenë hallkë e realizimit të projekteve rajonale, që kanë të bëjnë me përmirësimin e lëvizjes ose për përmirësimin e këmbimit tregtar mes vendeve fqinje dhe më gjerë”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Edhe Aleanca Kosovare e Biznesit shprehu interesim për bashkëpunim rajonal, me ç’rast ftoi afaristët nga Maqedonia dhe Bullgaria për bashkëpunim me sektorin ekonomik në Kosovë.
“Aleanca Kosovare e Bizneseve është e hapur edhe për të gjitha aleancat apo odat e tjera ekonomike nga Republika e Maqedonisë dhe nga Republika e Bullgarisë, andaj edhe me këtë rast ju bëj ftesë të gjitha shoqatave, odave, të gjithë afaristëve nga Maqedonia, Hungaria që të ndërlidhen dhe të bashkëpunojnë me Aleancën Kosovare të Bizneseve, me qenë se bizneset nuk njohin kufi”- theksoi Suad Berisha nga Aleanca Kosovare e Biznesit.
Nevojën e bashkëpunimit ekonomik rajonal e theksoi edhe ambasadori bullgar në Maqedoni, Ivan Petkov, dhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore, Menderes Kuçi.
GYLTENE SINANI
