Liria e mediave, KH: Në RM nuk ka gazetari të lirë

29.04.2015 15:50

Sulmet dhe presionet ndaj gazetarëve përbëjnë kërcënim serioz për lirinë e shprehjes, e cila duhet të shërbejë si bazë themelore për zhvillimin demokratik të një shoqërie...

Ky ishte konstatimi i përbashkët i panelistëve gjatë një debati në temën: “Cili është çmimi për lirinë e shprehjes në Maqedoni”.
 
Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit  dhe gazetari, Borjan Jovanovski, momentin e vlerësojnë si të kotë për të diskutuar për lirinë shprehjes, ndërsa, sipas tyre, heshtja dhe moskundërshtimi i fenomeneve të tilla dëmton rëndë shoqërinë në vend.
 
“Në Republikën e Maqedonisë jo vetëm që nuk krijohen hapësira demokratike që të mundet njeriu dhe mediat, për shkak të interesit publik, të mendojnë në mënyrë kritike, por përkundrazi, pushteti,  nëpërmjet institucioneve të tij, sulmet ndaj punonjësve të mediave dhe aktivistëve nuk i trajton siç duhet. Ata kështu dëshmojnë se nuk kanë vullnet politik të mundësojnë praktikimin e lirisë së shprehjes në Republikën e Maqedonisë”- deklaroi Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit. 
 
“Çmimi i heshtjes dhe moskundërshtimi i përpjekjeve për t’u heshtur janë pikërisht fëmijët, sepse ata janë gjenerata e ardhshme. Nëse kjo heshtet dhe e lejojmë që të etablohet si vlerë, atëherë çfarë do t’u lëmë fëmijëve tanë. Do t’u lëmë që të turpërohen nga ne”- tha gazetari, Borjan Jovanovski.
 
Presionet dhe kërcënimet nga njëra anë dhe moszgjidhja e tyre nga tjetra anë krijojnë hapësirë për manipulime dhe përforcimin e fjalorit të urrejtjes, u tha midis tjerash në debat. (Naim Ramadani, TVM2)