Maqedoni

Azerbajxhan, takim Siljanovska – Radev, theksohet nevoja e përmirësimit të bashkëpunimit

13.11.2024 11:06

Presidentët e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Gordana Siljanovska Davkova dhe Rumen Radev...

Presidentët e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Gordana Siljanovska Davkova dhe Rumen Radev, janë të një mendje se të dy vendet duhet të përmirësojnë bashkëpunimin e ndërsjellë. Në takimin njëorësh të realizuar në kuadër të konferencës për ndryshimet klimatike në Azerbajxhan, presidentët kanë deklaruar se dialogu mund të ngrihet në nivel më të lartë vetëm me kontribut të përbashkët. Njëherësh është folur edhe për tejkalimin e dallimeve midis dy shteteve, si dhe bashkëpunime në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Për presidenten Siljanovska Davkova, dialogu politik duhet të vazhdojë duke respektuar pozicionet dhe interesat e të dyja palëve, ndërkaq zgjidhja e dallimeve të bëhet në kuadër të vlerave dhe parimeve bazë të BE-së.  
 
“Kishim fillim të mirë dhe duhet të vazhdojmë. Në Bullgari konsideroj se është gjithçka e ndryshueshme përveç juve, ju jeni elementi më stabil. Pajtohem se më me rëndësi është që popujt të komunikojnë.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Për presidentin e Bullgarisë, Radev, marrëdhëniet ndërfqinjësore janë të një rëndësie kyçe dhe kontestet kërkojnë zgjidhje imediate.
 
“Bashkërisht me ju mund të vendosim tonin e marrëdhënieve midis Bullgarisë dhe RMV-së, ton i bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Popujt tanë nga RMV-ja dhe Bullgaria duhet të kenë mundësi të komunikojnë në një atmosfere më të lirshme.”, - theksoi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
 
Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit, presidentja e vendit ka ftuar homologun e tij bullgar në një vizitë zyrtare në Shkup me shpresën se veprimi ndërshtetëror do të forcojë akoma më shumë marrëdhëniet midis dy popujve. Takimi i parë i dy presidentëve ndodhi në Sofje para dy muajve.
 
MERAL ISMAILI