Botë

Sërish alarm në Spanjë, pritet stuhi

13.11.2024 11:41

Qytetet e goditura nga përmbytjet pranë Valencias në Spanjën lindore u përpoqën për të pastruar...

Qytetet e goditura nga përmbytjet pranë Valencias në Spanjën lindore u përpoqën për të pastruar sistemet e ujërave të zeza nga balta dhe mbeturinat, për të hedhur thasë me rërë dhe për të anuluar orët e shkollës, ndërsa përgatiten për një stuhi tjetër që i afrohet zonës.
 
Dy javë pasi përmbytjet më të këqija në historinë moderne të Spanjës vranë më shumë se 200 njerëz, shërbimi meteorologjik i Spanjës AEMET lëshoi një alarm portokalli, i dyti më i madh, për shi të dendur ose të rrëmbyeshëm që pritet nesër në të njëjtën zonë. AEMET parashikon të paktën 120 mm shi në 12 orë. Ndërsa stuhia nuk pritet të jetë aq e rëndë, ajo mund të jetë shkatërruese për qytetet që përpiqen të rikuperohen. Komiteti i menaxhimit të emergjencave lëshoi një paralajmërim të veçantë, duke kërkuar nga autoritetet komunale dhe organizatat e tjera që të marrin masa paraprake, duke përfshirë mbylljen e shkollave.
 
Këshilli i qytetit të Siuas, një nga qytetet më të goditura, anuloi orët e shkollës dhe ngjarjet sportive, ndërsa në Aldajan fqinje punëtorët vendosën thasë me rërë për të mbrojtur qytetin. Paralajmërimet e shërbimit meteorologjik të Spanjës mbulojnë një pjesë të madhe të bregdetit mesdhetar të Katalonjës, Valencias dhe Andaluzisë si dhe Ishujt Balearik.