Bojkoti i nxënësve, MASh-i dhe Plenumi i Nxënësve pa marrëveshje për testimin ekstern
Plenumi i Nxënësve dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk arritën marrëveshje për kërkesat e parashtruara nga nxënësit...

Sipas Plenumit të Nxënësve, MASh-i në takimin e sotëm nuk ka shprehur dëshirë për të negociuar për heqjen e vlerësimit ekstern në shkollat e mesme. MASh-i është i gatshëm të diskutojë për konceptin e vjetër të maturës shtetërore, që është një nga kërkesat e plenumit, dhe është i gatshëm ta prolongojë konceptin e ri të maturës shtetërore për gjeneratën e sivjetme, deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare. Por, Plenumi i Nxënësve kërkon zgjidhje të përhershme dhe jo vendim për një gjeneratë nxënësish.
“Propozimet tona për testimin ekstern nuk u pranuan. Prej nesh ishte kërkuar të formohen grupe punuese, ku do të diskutonim për çështjet e hapura, mirëpo ne nuk kemi premtim të qartë se a do të shqyrtohen të gjitha propozimet që ne i ofrojmë. Sa i përket konceptit të maturës shtetërore po ashtu ofrojnë grupe punuese të cilët do të punojnë në përpilimin e konceptit të ri”- u tha nga Plenumi i Nxënësve.
“Unë dua të sqaroj se ne jemi grupi punës i nxënësve. Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kemi dalë me propozime konkrete, mirëpo ata na premtuan vetëm formimin e disa grupeve punese, të cilët do të munden të zgjidhin ndonjëherë këtë problematikë. Ne dëshirojmë kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë, e jo në të ardhmen me grupe punese tjera”- theksuan nga Plenumi i Nxënësve.
Plenumi i Nxënësve tha se do të vazhdojë me vendosjen e tendave deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Ata gjithashtu kërkuan monitorim nga Avokati i Popullit, Ambasada e Fëmijëve “Megjashi” dhe Komiteti i Helsinkit që të mos jenë të manipuluar gjatë realizimit të kërkesave të tyre. (Rexhep Qamili, TVM2)
