Liga e Kombeve, Ramadani: Kujdes topat e gjatë

13.11.2024 13:36

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan në këtë nëntor dy ndeshjet e fundit në Grupin B1 të Ligës së Kombeve...

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan në këtë nëntor  dy ndeshjet e fundit në Grupin B1 të Ligës së Kombeve. Ndeshjen e parë me 16 nëntor në "Air Albania" duke nisur nga ora 20:45 përballë do jenë çekët. Kuqezinjtë tani më janë kompletuar në Tiranë dhe sot para mediave folën Indrit Tuci dhe Ylber Ramadani.
 
“Nuk janë pak tre gola në katër ndeshje, kemi shënuar. Një gol na mjafton për të marrë tri pikë. Qejfi jonë është për të shënuar. Në Kombëtare japim më të mirë, është tjetër gjë. Këtu jemi për kombin, japim më të mirën. Në klub unë mërzitem nëse nuk kam minuta, këtu jo.”, tha Indrit Tuci, futbollist i Shqipërisë.
 
“Të dyja janë të forta, kanë qenë në Euro 2024 dhe kërkojnë kreun. Çekia është shumë e fortë fizikisht, po përgatitemi kundër tyre. Kemi tifozët dhe ata janë shtysë e madhe për ne. Futbolli funksionon ndeshje pas ndeshje. Mendoj që presion kemi gjithmonë, e dimë si duhet të luajmë. Atje humbëm nga duelet dhe topat e gjatë, këtu do jetë tjetër ndeshje. Duhet një qasje serioze dhe të menaxhojmë presionin.”, tha Ylber Ramadani, futbollist i Shqipërisë.
 
Shqipëria  me gjashtë pikë është në vendin e tretë, ku ka pikë të barabarta me vendin e dytë, Gjeorgjinë. “Kuqezinjtë” kërkojnë kreun për të pasur shanse të vijojnë më tej. Çdo pikë në këtë fazë të Ligës së Kombeve është e rëndësishme për Shqipërinë. Ndeshja e parë i gjen shqiptarët përballë kryesuesve të Çekisë, që ka 7 pikë. (Gazetar: Safet Ademi)