Botë

Osmani dhe Kurti: FSK-ja, ushtri e ndërtuar me standarde të NATO-s

13.11.2024 13:47

Ushtria e Kosovës është ndërtuar dhe aftësuar sipas standardeve të NATO-s...

Ushtria e Kosovës është ndërtuar dhe aftësuar sipas standardeve të NATO-s dhe është e gatshme të përballet me sfidat e sigurisë. Kështu kanë deklaruar komandantja supreme, presidentja Vjosa Osmani, dhe kryeministri, Albin Kurti, pasi ndoqën ushtrimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) të titulluar “Ujku i Çeliktë”. 
 
“Sot dëshmuat edhe njëherë fuqishëm se ushtrinë tonë e kemi ndërtuar dhe jemi duke e zhvilluar me aftësi dhe me kapacitete profesionale sipas standardeve më të larta të vendeve të NATO-s, dhe konfirmuat se jemi të gatshëm të marrim pjesë efektivisht edhe në operacione shumëkombëshe të përbashkëta ushtarake në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e atij global.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
“Armatimet e reja, të cilat përfshijnë pajisje të avancuara dhe sofistikuara luftarake, janë dëshmi e qartë e vendosmërisë sonë për ta modernizuar dhe përgatitur ushtrinë tonë të përballojë çdo lloj kërcënimi, skenari dhe sfide, që mund të paraqitet në këtë kohë të brishtë të sigurisë globale.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Kurti njëherit theksoi se FSK-ja është garanci e sigurisë, paqes dhe lirisë në Kosovë, e cila është arritur me shumë gjak e mund, por edhe garanci se e kaluara e hidhur nuk do të përsëritet më asnjëherë.
 
GYLTENE SINANI