Botë

Nepal, 5 mijë numri i të vdekurve, pas 4 ditëve nxirret gjallë një 27 vjeçar

29.04.2015 16:13

Kanë nisur të mbërrijnë ndihmat në zonat e thella të Nepalit, të prekura nga tërmeti i fuqishëm i së shtunës...

Kanë nisur të mbërrijnë ndihmat në zonat e thella të Nepalit, të prekura nga tërmeti i fuqishëm i së shtunës, por ende shumë persona po vuajnë mungesën e ushqimit dhe ujit.
 
Zyrtarët thonë se shpërndarja e ndihmave në fshatra të caktuara është shumë e vështirë.
 
“Trupat tanë po bëjnë maksimumin”- thonë autoritetet. 
 
Por, me gjithë përpjekjet maksimale për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve, në kryeqytetin Katmandu të Nepalit kanë shpërthyer përleshje ndërmjet policisë speciale dhe të mbijetuarve të tërmetit, të cilët synonin me çdo kusht të largoheshin nga qyteti i shkatërruar.
 
Njerëzit që dëshironin të largoheshin ishin zemëruar për shkak të problemeve me autobusët në stacionin kryesor, afër parlamentit kombëtar.  
 
E kur Nepali vazhdon të jetë në shok, vazhdojnë edhe mrekullitë për disa prej njerëzve që konsideroheshin zyrtarisht si të zhdukur.
 
Një 27 vjeçar është shpëtuar pas 4 ditëve qëndrimi nën gërmallat e një hoteli të rrënuar. Rishi Khanal, sapo kishte përfunduar drekën dhe po ngjitej në dhomën e tij në katin e dytë, kur tërmeti shkatërroi gjithçka rreth tij dhe zuri edhe atë nën rrënoja.
 
“Kisha shpresë, por dje desh hoqa dorë nga shpresa. Thonjtë mu bënë të bardhë. Nuk isha më i sigurt se dikush po më kërkonte. Nuk kishte asnjë zhurmë rreth meje. Nuk kisha çfarë të ha e as të pi dhe si përfundim piva edhe urinën time për të mbijetuar. Por, jam mirënjohës që më shpëtuan”- deklaroi i mbijetuari, Rishi Khanal.
 
Tërmeti me magnitudë 7.8, që goditi kryeqytetit Katmandu, mendohet se i ka marrë jetën më shumë se 5 000 njerëzve dhe janë plagosur rreth 10 000 të tjerë.
 
Nepali do të mbajë 3 ditë zi kombëtare për viktimat. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU