Maqedoni

Gjykimi për "Vanjën", vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve

13.11.2024 15:12

Familjarë dhe anëtarë të partisë politike "E djathta" ishin dëshmitarët e radhës të propozuar nga Prokuroria për vrasjen e 14-vjeçares...

Familjarë dhe anëtarë të partisë politike "E djathta" ishin dëshmitarët e radhës të propozuar nga Prokuroria për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçeska dhe Pançe Zhezhovski. Në dëshminë e Llita Qiriq dhe bashkëshortit të saj, Gjorgi Xholev, i cili është kryetar i Komitetit Qendror të partisë "E Djathta", sqaroi se vetura të cilën Palevski, sipas Prokurorisë e ka përdorur për grabitjen e Vanjës, ata ia kishin dhënë për përdorim partisë "E Djathta", gjegjësisht Palevskit në vitin 2023. Dëshmitari Xholev theksoi se më 30 dhjetor, dy ditë pas zhdukjes së Vanjës dhe më 2 dhjetor në mbledhjen e komitetit, Palevski kishte munguar.
 
"Unë më 30 nëntor isha në parti. Aty ishte Vllatko Keshishev. E pyeta se ku ishte Palço, më tha se shkoi te mjeku".
 
Nga dita kur është gjetur trupi i vajzës, Xholev tha se ka humbur çdo kontakt me Palevskin. Theksoi se në zyrën e tij të partisë në Kisella Vodë kishte parë pistoletë, ndërsa dëshmitari Kirill Trençovski, simpatizant i partisë, tha se në zyrën e tij kishte hasur edhe në radiolidhje. Në seancën e sotme dëshmoi edhe kushërira e parë e nënës së Vanjës, Maja Spiroska. Ajo tha se e ndihmuar nga të tjerë kanë kontrolluar kafene dhe vende të tjera në kërkim të vajzës duke përfshirë edhe video-incizime, që i kishte sjellë babai i Vanjës.
 
“Vazhdonte të dilte, të hynte brenda, ishte i mërzitur. “Një herë ai më tha t'i dërgoja një mesazh Elon Muskut, që ta gjente atë përmes satelitit."
 
Të akuzuarit Lupço Palevski, Boro Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë.
 
FLORIJE KAMBERI