Maqedoni
Rreziku nga shfuqizimi i Ligjit për gjuhët, Ahmeti: Mund të ndikojë në stabilitetin e shtetit
13.11.2024 15:34
Ali Ahmeti nuk kërcënon askënd, vetëm tregon që BDI-ja nuk do të lejojë të shkelet mbi të arriturat e të drejtave të shqiptarëve...

Ali Ahmeti nuk kërcënon askënd, vetëm tregon që BDI-ja nuk do të lejojë të shkelet mbi të arriturat e të drejtave të shqiptarëve për të cilat është derdhur mund, thotë Faton Ahmeti nga BDI, si përgjigje ndaj pyetjeve rreth asaj që kryeministri Mickoski i cilësoi si tentim i radhës i kreut integrist për destabilizimin e vendit. I pyetur se cilat janë mekanizmat që i paralajmërojnë gjatë gjithë kohës dhe si do të veprojë BDI-ja, Ahmeti me përgjigje se reagimi i integristëve do të jetë ashtu si do ta kërkojë koha.
“Vlerësojmë se gjëja e vetme që mund të ndikojë në stabilitetin e shtetit është prishja e marrëdhënieve ndëretnike. Pra, të gjitha gjërat që janë arritur me shumë mund e janë rezultat i MO-së, të gjitha arritjet e shqiptarëve e etniteteve të tjera më të vogla, janë arritur me mund e nuk do të lejojmë që kjo të preket. Ahmeti nuk ka kërcënuar, por tregoi qëndrimin e BDI-së dhe është perceptimi që marrim edhe nga qytetarët. Mendoj se çdo shqiptar nuk ndjehet rehat në këtë kërcënim që u bëhet proceseve politike, që janë arritur me shumë mund në shtetin tonë, e reagimi do të jetë konform ashtu si do ta kërkojë kohë.”, - deklaroi Faton Ahmeti nga BDI.
Përplasjet Ahmeti-Mickoski, Filipçe: S’ka hapësirë për panik, folklor politik
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, përplasjet rreth destabilizimit të mundshëm të vendit mes kreut të integristëve, Ali Ahmeti dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, e cilëson si pjesë të folklorit politik. Nëse ka rrezik për destabilizim të vendit, duhet të reagojnë institucionet e sigurisë, thotë Filipçe.
“Shikoni, kjo shihet se është pjesë e folklorit tonë çdo ditor politik. Kërcënime për destabilizim, përgjigje nga kryeministri, e ka mundësi, pastaj përgënjeshtrime nga resorët, ministritë përgjegjëse, që kjo është e pamundur, është e pamundur. Vlerësoj se përveç folklorit tonë mes partive politike, me të vërtet nuk ka hapësirë për frikë dhe panik. Nëse ka, atëherë pres që institucionet të analizojnë dhe të reagojnë.”, - theksoi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
Ditë më parë kryeministri Mickoski tha se Ahmeti e ka bërë zakon që me retorika luftarake të thërrasë për trazira dhe destabilitet. Ai beson se mesazhet e integristëve u referohen gjykatësve të kushtetueses për t’u bërë presion mbi këtë çështje.
SANIJE DURAKU
