Kuvend, 24 kandidatë në garë për 7 vende në këshillin e AShMAA-së
Edhe pse ishte pritur që në debatin e Komisionit Kuvendor...

Edhe pse ishte pritur që në debatin e Komisionit Kuvendor për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, fjalën kryesore ta kenë 24 kandidatët, të cilët kishin aplikuar për anëtarë të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive, interesimin e tërhoqën deputetët shqiptar, edhe atë Ilire Dauti nga “Fronti Evropian” dhe Riad Shaqiri nga koalicioni VLEN, të cilët u përplasën për disa emra të kandidatëve, ku sipas deputetes, Ilire Dauti, kanë qenë të përfshirë nëpër parti politike, e që është në kundërshtim me kushtin kryesor të konkursit, përkatësisht kandidati nuk guxon të jetë pjesë e ndonjë subjekti politik.
“Duke pasur parasysh që në mesin e listës kemi emra të cilët drejtpërdrejt janë të kyçur gjatë periudhës së kaluar në politikë, mbase ende janë të kyçur, unë prapë vazhdoj të mos pajtohem me këtë qasje që bëhet ndaj kësaj agjencie dhe të shprehi revoltën time, sepse e di që do të jem e mbivotuar nga gjithë të tjerët të cilët qëndrojnë heshtur përball një tentimi për kapje të mediave në këtë formë.”, - deklaroi deputetja e “Frontit Evropian”, Ilire Dauti.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi nga deputeti i VLEN-it, Rijad Shaqiri.
“Paragjykimet se individë të caktuar kanë detyra politike brenda RMV-së, është mirë t’i referohemi edhe të kaluarës.”, - theksoi deputet i VLEN-it, Riad Shaqiri.
Gjithsej 24 kandidatë do të luftojnë për shtatë vendet e reja në Këshillin e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive. Kushtet për anëtarë të kësaj agjencie i kanë kaluar Sasho Stefanovski, Nafie Selmani, Dragica Ljubeska, Mile Boshnjakovski, Petar Gjurovski, Emilia Petreska Kamenjarova, Shaban Dalipi, Andriana Skerlev Çakar, Llazo Petrushevski, Zoran Fidanoski, Arben Saiti, Emilia Janevska, Davor Bashoski, Daut Dauti, Gordana Majnova, Viktor Pavllovski, Vlladimir Gjorgjievski, Elena Stojkovska, Zërijeta Hajro Jajaga, Cvetanka Minovska, Viktor Grozdanov, Stojançe Naumov, Afrona Verzivoli dhe Boris Arsov.
Ndërsa kushtet nuk i kanë plotësuar Marijanço Tanushevski, Dimitar Micev, Darko Stefanovski, Selfer Ajdini, Violeta Simova Bilbilovska dhe Vlladimir Kërsteski. (Fitim Kryeziu, TVM2)
