Ueslej Klark, “Qytetar nderi” i Çairit, Klark: Ndjehem krenar, Kosova u çlirua me ekip
Ish-gjenerali i NATO-s, Ueslej Klark...

Ish-gjenerali i NATO-s, Ueslej Klark, kontribuues i paqes në Kosovë dhe stabilitetit në rajon u dekorua me çmimin “Qytetarë nderi” i komunës së Çairit. Komandanti suprem, Klark, i cili ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999, para ta pranishmëve në Teatrin Shqiptar u shpreh i privilegjuar për laureatin që mori nga një komunë e Shkupit, nga vendi ku tha se sheh prosperitet dhe entuziazëm për të ardhmen.
Duke uruar paqe në Evropë, gjenerali Klark theksoi mendimin e tij se nëpër botë po mbretëron kohë e vështirë, gjersa uroi ndërprerjen e konflikteve dhe luftërave. E për angazhimin e tij në Kosovë, Klarku përmendi edhe figura të tjera meritore, atëbotë kur Kosova u çlirua nga barbaria serbe.
“Faleminderit për këtë nderim shumë të madh. Përulem për fjalët e shoqërisë që më nderon dhe nga ju që jeni në masë këtu. Dua të njoftoj për lidershipin që ishte pjesë e përpjekjes ekipore: presidenti, Bill Klinton; kryeministri, Toni Bler; sekretarja e shtetit, Ollbrajt; sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havier Sollana; Majk Xheksonin, që ishte këtu në Maqedoni atë kohë. I falënderoj të gjithë, sepse ishin të gjithë ekip i kompletuar. Në Shqipëri kishim bashkëpunim me qeverinë shqiptare, ku kujtoj zotëri Nanon dhe presidentin Gligorov këtu në Maqedoni, i cili ishte gjithashtu përkrahës i veprimeve të NATO-s.”, - deklaroi gjenerali i pensionuar amerikan, Ueslej Klark.
Ganiu, gjeneralit Klark: Bëtë historinë dhe dhatë mesazhin e paqes
I pari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, figurën e gjeneralit Klark e barazoi me një pëllumb paqeje, ndërkaq ngriti lartë kontributin e tij në Ballkan siç tha ai, sa human, aq edhe ushtarak.
“Kjo ditë është një mundësi për të gjithë në Shkup dhe në këtë pjesë të Ballkanit, për të shprehur mirënjohjen tonë më të thellë për angazhimin dhe sakrificat tuaja të jashtëzakonshme drejt ndërtimit të një ardhmërie më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë ne. Ju, në praktikë e dëshmuat se dinjiteti që shoqëroi vendimet tuaja të drejta dhe të vështira për të ndalur agresionin mbi një popull të pambrojtur, prodhoi një kthesë që u bë sinonim i lirisë dhe pavarësisë së popullit të Kosovës. Angazhimi juaj i palëkundur për të mbrojtur integritetin dhe dinjitetin njerëzor ka dhënë një mesazh për botën, se paqja nuk është interes strategjik, por një angazhim moral për të mbrojtur jetën dhe të drejtat themelore të çdo individi.”, - theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Ngjarja në fjalë u pasurua edhe me paraqitjen e një dokumentari të shkurtër historik të luftës së Kosovës, nën autorësinë e gazetares, Dijana Toska. (Nermine Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
