Maqedoni
"Freedom House”: Maqedonia, lider në Ballkan për moslirinë e mediave
29.04.2015 16:49
Maqedonia është shteti më keq i ranguar në Ballkan për lirin e mediave, vlerësohet në raportin e fundit të Organizatës “ Fridom Hause”...

Në raportin ku vendet me liri të plotë mediale marrin 0 pikë, e ato ku mungon liria kanë maksimum 100 pikë, “Maqedonia ka 58 pikë, duke u radhitur kështu në vendin e 125, nga gjithsej 199 shtete.
Rezultati i Maqedonisë ka rënë për 10 pikë në 10 vitet e fundit, me çka është vendi me rangim më të ulët në Ballkan”- thuhet në raportin e “Fridom Hause”.
“Disa vende të Ballkanit perëndimor edhe më tutje janë me trendin shqetësues për thyerje të lirive të mediave gjatë vitit 2014. Gjendja e mediumeve shoqërohet me disa probleme të përbashkëta, siç është shfrytëzimi i Ligjit për Shpifje dhe Fyerje nga Politikanët dhe Biznesmenët për të thyer qëndrimin kritik, presione ndaj redaktorëve nga udhëheqësit politik dhe pronarëve publik, me çka krijohet vetëcenzura dhe sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve”- thuhet nga “Fridom Hause”.
Botuesi i gazetës “Koha”, gazetari, Lirim Dullovi, thotë se raporti nuk është aspak befasues.
Sipas tij, ky raport duhet të merret si alarm dhe gazetarët të luftojnë për të drejtat e tyre, sepse në të kundërtën vendin do ta kaplojë terri medial.
Mjetet financiare dhe ndërhyrja e politikës e kanë ranguar Maqedoninë në këtë pozitë, vlerëson Dullovi.
“Kur mediat varen nga të hollat, atëherë duhet të dimë se kush i kontrollon të hollat, sepse kush i ka të hollat ai i kontrollon edhe mediat. Ato mjete që i marrin, shumica e mediave janë të kontrolluara nga dikush dhe sipas kësaj logjike, ato duhet të jenë të kufizuar në shprehjen e fjalës së lirë”- tha gazetari dhe botuesi i gazetës “Koha”, Lirim Dullovi.
Sipas Dullovit, liria e mediave diktohet nga politika dhe u takon tani gazetarëve të luftojnë fuqishëm që të largojnë këtë ndikim.
“Politika dikton lirinë e mediave dhe sa më tepër tensionohet skena politike në Maqedoni, aq më tepër vijnë në shprehje liritë e kufizuara të mediave. Luftën e gazetarëve ne nuk mund të presim të na bëjë dikush tjetër. Gazetarët duhet të luftojnë për të drejtat e tyre”- theksoi Dullovi.
Në raportin e “Freedom House”, vendet e rajonit radhiten në këtë mënyrë: Maqedonia në pozitën numër 125, Bosnja 108, Shqipëria 97, Serbia 82 dhe Mali i Zi 79.
Të gjitha këto shtete bëjnë pjesë në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira.
Në përgjithësi, organizata me seli në Shtetet e Bashkuara vlerëson se liria e shtypit në botë ka rënë në vitin 2014 në pikën më të ulët në më shumë se dhjetë vjet.
“Freedom House” thotë se Bjellorusia, rajoni i Krimesë i aneksuar nga Rusia, Irani, Turkmenistani dhe Uzbekistani janë në mesin e dhjetë vendeve dhe territoreve që kanë vlerësimet më të ulëta për lirinë e shtypit. Në krye të listës së vendeve të lira radhiten Norvegjia, Suedia dhe Belgjika.
SANIJE KASAMI
