Maqedoni
Deklarata e Ahmetit për gjuhën shqipe, Taravari: Nuk rrezikohet gjuha shqipe
14.11.2024 13:47
Kryetari i ASh-së, Arben Taravari, siguron se gjuha shqipe nuk është e rrezikuar....

Kryetari i ASh-së, Arben Taravari, siguron se gjuha shqipe nuk është e rrezikuar, pas deklarimeve të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, se sheshet e Shkupit do të mbushen me protestues. Taravari sugjeron Ahmetin të vë fokusin në reforma brenda partisë së tij.
“S’duhet të brengoset aspak zotëri Ahmeti, sepse nuk rrezikohet aspak gjuha shqipe. Gjuha shqipe vazhdon të jetë gjuhë zyrtare në RMV, kështu që e kisha porositur që të jetë i rehatshëm, le të fokusohet më shumë në reformimin e partisë dhe në adaptimin në opozitë.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Zgjedhjet e parakohshme, Taravari: Nevojitet konsensus i gjerë
Ndërkohë që thirrjes së vazhdueshme të Ahmetit për zgjedhje të parakohshme vjeshtën e vitit të ardhshëm, Taravari i përgjigjet se për bashkimin e dy cikleve zgjedhore nevojitet konsensus.
“Sa i mbaruam zgjedhjet para pesë-gjashtë muajsh. Ne jemi të hapur të bisedojmë për të gjitha çështjet, por duhet të kemi një konsensus më të gjerë, në qoftë se shkohet në zgjedhje. Nëse e ka për të matur forcat se sa është VLEN-i dhe ku është BDI-ja. Unë mendoj se vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet lokale.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Mickoski: Rezultati i lokaleve do të diktoj parlamentaret
Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili u tërhoq nga ideja e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, thotë se për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve përgjigjen do ta marrin në zgjedhjet lokale.
“Qytetarët në ato zgjedhje do të thonë se a nevojiten parlamentare ose jo. Nëse nevojiten parlamentaret, mund që menjëherë të organizojmë edhe zgjedhje parlamentare. Nëse ata thonë se Qeveria ka karton të kuq dhe nëse i votojnë kryetarët e komunave të BDI-së dhe LSDM-së, atëherë porosia është e qartë. Ne nuk do ta injorojmë atë porosi.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Zgjedhjet e rregullta lokale do të mbahen në tetor të vitit 2025, ndërkaq vendi para disa muajve doli nga zgjedhjet parlamentare.
MERAL ISMAILI
