Maqedoni

Niveli i ndotjes së ajrit, pushteti dhe opozita me akuza të ndërsjella

14.11.2024 14:22

Ndotja e ajrit vazhdon të jetë temë e përplasjes mes partive politike...

Ndotja e ajrit vazhdon të jetë temë e përplasjes mes partive politike. VMRO-DPMNE-ja akuzon ish-Qeverinë se gjatë mandatit të tyre 7-vjeçar nuk kanë bërë asgjë në luftën kundër ndotjes së ajrit, prandaj pasojat po vazhdojnë t’i ndjejnë qytetarët edhe tani. Paralajmërojnë se Qeveria e re do të marrë masa për uljen e ndotjes së ajrit. 
 
“LSDM-ja duhet ta dijë se për dallim nga ata, Qeveria e VMRO-DPMNE-së do të marrë masa serioze për uljen e ndotjes së ajrit. Kufizime të rrepta do të vendosen për burimet më të dëmshme të energjisë dhe do të kontrollohen ndotësit më të mëdhenj industrialë. Qeveria do të japë subvencione për qytetarët dhe kompanitë që do të përdorin zgjidhje të energjisë së pastër.”, - deklaroi Aneta Markovska Ilievska nga VMRO-DPMNE. 
 
Nga ana tjetër, nga LSDM-ja thonë se të gjitha investimet strategjike në gazifikimin, si dhe në termocentralin me të cilin VMRO-DPMNE-ja krenohet sot, kanë filluar në mandatin e LSDM-së, ndërsa kanë akuzuar Qeverinë se nuk po bën asgjë për të luftuar me fenomenin e ndotjes së ajrit.  
 
“Lufta kundër ndotjes është një proces, por DPMNE-ja nuk po bën asgjë për këtë. Politikat shihen në buxhet. Nuk ka para në buxhetin e vitit 2025 për të luftuar ndotjen. Kur ishte në opozitë, Hristijan Mickoski premtoi se Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do të investojë 1 miliard euro në investime, që qytetarët të thithin ajër të pastër dhe të ulin ndotjen për 50%. Doli se këto premtime të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së janë një gënjeshtër e madhe.”, thuhet në reagimin e LSDM-së, nga ku shtojnë se LSDM-ja mbante llogari për të gjitha aspektet për shtetin, si në pjesën e ekonomisë, ashtu edhe në atë të ekologjisë.
 
BELINDA KOKA ADEMI