Maqedoni

Sistemi “Qyteti i sigurt” pritet të vihet në funksion gjatë vitit 2025, Filkov: Reformat, në përputhje me strategjinë

14.11.2024 14:37

Reformat në gjyqësor janë duke u zhvilluar në përputhje me Strategjinë Zhvillimore Sektoriale për Drejtësi për periudhën 2024-2028...

Reformat në gjyqësor janë duke u zhvilluar në përputhje me Strategjinë Zhvillimore Sektoriale për Drejtësi për periudhën 2024-2028, tha ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian për progresin e vendit në fushën e drejtësisë, gjatë debatit, "Platforma: 100% kushtuar juve" me temë "Fokus në drejtësi, siguri dhe mbrojtje”. Filkovi tha se jep një pasqyrë reale të arritjeve dhe situatës, por edhe një nxitje për të bërë reformat e nevojshme. 
 
“Nesër nisin debatet e ekspertëve publikë për projekt-amendamentet dhe plotësimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor të përgatitur nga grupi punues i formuar nga Ministria e Drejtësisë. Konkluzionet dhe rekomandimet nga tryeza e rrumbullakët do të jenë bazë për përmirësimin e mëtutjeshëm të tekstit të ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për Këshillin Gjyqësor. Këto diskutime nuk do të jenë sipërfaqësore. Ato do të jenë gjithëpërfshirëse, do të përfshijnë të gjithë faktorët përkatës dhe do të synojnë të krijojnë zgjidhje që do të garantojnë pavarësinë e këtyre institucioneve.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.
 
Ndërkohë ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se sistemi “Qyteti i sigurt” pritet që gjatë vitit 2025 të ketë një aplikim të plotë funksional. Ai shtoi se autoritetet e mëparshme e kanë bërë blerjen, por nuk kanë bërë plan strategjik se si do të vihet në funksion dhe nuk kanë bërë procedura ligjore, ku saktësisht duhet të zbatohet, si do të dorëzohen gjobat, nëse gjykata do të jetë në gjendje t'i përgjigjet sfidës për të trajtuar dhjetëra mijëra raste në baza mujore. 
 
“Ne duhet ta zbatojmë këtë sistem, ta vendosim në bazë të shëndoshë. Nëse pyetem unë, më së miri është të vihet në funksion në janar të vitit 2025, por kjo është e pamundur, duke i pasur të gjitha këto hapa që duhet të ndërmerren dhe do të isha i kënaqur nëse e vëmë në përdorim përfundimtar gjatë vitit 2025. Qytetarët do të kenë një periudhë kohore gjatë së cilës do të paralajmërohen nga kjo zgjidhje softuerike, e cila do të duhet të përpunojë të gjithë procedurën.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
 
Sistemi “Qyteti i sigurt” pritet të vihet në funksion gjatë vitit 2025. Nesër nisin debatet e ekspertëve publikë për projekt-amendamentet dhe plotësimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor të përgatitur nga grupi punues i formuar nga Ministria e Drejtësisë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU