Ekonomi
Koçoska: Propozim-buxheti për vitin 2025 do të mundësojë institucione dhe shtet funksional
14.11.2024 15:05
Në Komisionin për Financim dhe Buxhet ka nisur debati për buxhetin për vitin e ardhshëm...

Në Komisionin për Financim dhe Buxhet ka nisur debati për buxhetin për vitin e ardhshëm. Është planifikuar të mblidhen 5.8 miliardë euro dhe të shpenzohen 6.5 miliardë euro. Projeksioni për investime kapitale është 800 milionë euro. Ministrja e Financave thotë se borxhi i shtetit nuk do të kalojë 60 për qind të PBB-së. Rritja ekonomike është planifikuar në 3.7 për qind dhe inflacioni 2.2 për qind.
“Të hyrat e përgjithshme në propozim-buxhetin janë planifikuar në nivelin prej 358.8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivelin prej 400.2 miliardë denarë. Deficiti buxhetor është projektuar në vlerë absolute prej 41.350 milionë denarë ose në nivel prej 4 për qind nga PBB-ja e planifikuar.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
Filipçe: Propozim-buxhet joreal, ne s’do ta votojmë
Opozita LSDM dhe BDI e vlerësuan propozim-buxhetin si joreal dhe jozhvillimor dhe paralajmëruan se nuk do ta votojnë. LSDM-ja ka dorëzuar mbi 200 amendamente.
“Ky buxhet nuk duhet dhe nuk mund të mbështetet kështu. Me politika të tilla Qeveria vetëm do ta vërë shtetin në borxhe, do të rëndojë me punësime të reja në administratë, do të rrisë borxhin, do të shpenzojë për mallra dhe shërbime dhe nuk do të ketë asgjë për qytetarët. Ne nuk do të votojmë për buxhet të tillë.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Sipas treguesve ekonomik ka përqindje të ulët të rritjes ekonomike, rënie të eksportit, rënie të prodhimit industrial, nivel i ulët i investimeve kapitale edhe përskaj rishikimit që patëm, rritje e kostos së shportës se konsumatoreve, rritje e borxhit publik, shpërndarja jo e drejtë me kritere më shumë etnike e më pak ekonomike.”, - u shpreh deputeti i “Frontit Evropian”, Elmi Aziri.
Stojanovski: Buxhet real, janë të përfshirë të gjithë
Ndaj opozitës reagoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, duke thënë se ky buxhet është udhërrëfyes për dalje nga kriza ekonomike 7-vjeçare, në të cilën ishte vendi dhe në të janë të përfshirë të gjitha fushat dhe të gjithë qytetarët.
“Deri më tani jemi përpjekur që të përmirësojmë dëmet, ndërsa nga ky moment po i ndërtojmë konturat e ekonomisë sonë. Ky është buxhet real, i fokusuar në përmirësimin e situatës ekonomike. Me këtë buxhet, qytetarët do të fitojnë rroga më të larta, pensione më të larta, klimë stabile të biznesit dhe realizim të investimeve kapitale, që dukshëm do ta përmirësojnë kualitetin e jetesës.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Sipas Rregullores së re, debati në komision mund të zgjasë deri më 30 nëntor, pas së cilës projektbuxheti duhet të miratohet në seancë plenare.
SANIJE DURAKU
