Maqedoni

Shpërthim bombe në komunën e Gazi Babës, një person i lënduar, policia heton rastin

14.11.2024 15:17

Lagjia “Qeramidnicë” e komunës së Gazi Babës në orët e hershme të mëngjesit është trazuar nga shpërthimi i një bombe...

Lagjia “Qeramidnicë” e komunës së Gazi Babës në orët e hershme të mëngjesit është trazuar nga shpërthimi i një bombe. Mjeti shpërthyes është hedhur në oborrin e një shtëpie duke lënë të lënduar Rade Trajkovskin. Ai menjëherë është dërguar në spitalin e qytetit “Shën Naumi i Ohrit”. Ndërkaq, Ministria e Brendshme po ndërmerr hapa për zbardhjen e rastit. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkoski, paralajmëroi luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar.
 
“Qartë dhe me vendosmëri do ta luftojmë krimin, ndërkaq për rastin konkret jam i njoftuar në mëngjes. Mirë është që nuk kemi rrezikim të jetës së askujt. Është keq që bandat kriminale po veprojnë, por si institucion ashpër dhe me përgjegjësi do t’i përgjigjemi të gjithë atyre që po prekin qetësinë e qytetarëve.”, - deklaroi ministri për Punë të Brendshme, Toshkovski.
 
LSDM: Rrugët e pasigurta falë Toshkovskit
 
Kanë reaguar nga LSDM-ja, duke kritikuar Toshkovskin për paaftësi në menaxhimin e sigurisë. Thonë se bombat po fluturojnë, konfrontimet kriminale janë bërë të përditshme dhe rrugët janë të pasigurta. 
 
“Në katër muajt e fundit kanë ndodhur 25 incidente të armatosura, ndërkaq 5 incidente vetëm gjatë muajit tetor.”, thonë socialdemokratët. “Të shtëna ka pasur edhe në Haraçinë, Batincë, në Tetovë, ndërsa në afërsi të Mavrovës ndodhi vrasja.”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
 
Para gjashtë vitesh emri i Trajkovskit lidhej me vrasjen e futbollistit të ri, Martin Janushev. Në gusht të vitit të shkuar, ai ishte cak i të shtënave në qendrën tregtare Ist Gejt Moll.
 
MERAL ISMAILI