Maqedoni

Debat, bashkëpunimi rajonal dhe integrimet, Folësit: Pos tjerash, duhet bisedë me Bullgarinë

14.11.2024 15:52

Qeveria mbetet e fokusuar për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe punon në agjendën reformuese...

Qeveria mbetet e fokusuar për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe punon në agjendën reformuese, thonë nga VMRO-DPMNE-ja. Deputetja e këtij subjekti politik, Marija Petrushevska, nënvizon se procesi nuk varet vetëm nga reformat e brendshme, por se kushtëzohet nga ndryshimet kushtetuese dhe pamundësia për biseda konstruktive me fqinjin lindor, për shkak të mungesës së një qeverie legjitime atje.
 
“Agjenda reformuese mbetet prioritet i lartë në programin dhe punën e Qeverisë, megjithatë vazhdimi i procesit eurointegrues varet nga shumë faktorë dhe jo vetëm nga ndryshimet kushtetuese, para së gjithash nga formimi i partneritetit stabil në fqinjësinë tonë me Bullgarinë, me të cilin do të mundësohej tutje një dialog i hapur, me qëllim të tejkalimit të kësaj çështjeje bilaterale.”, - deklaroi Marija Petrushevska nga VMRO- DPMNE.
 
Nga Partia Liberal Demokrate shpresojnë për formimin e Qeverisë funksionale bullgare sa më shpejt, në mënyrë që të krijohen kushte partneriteti.
 
“Presim nga Bullgaria që të kemi partner stabil për bisedime. Megjithatë kjo nuk paraqet për ne për ta vazhduar agjendën. Prapë do ta përsëris, nuk është pengesë për agjendën për të na dërguar te zgjerimi i BE-së.”, - theksoi deputetja e Partisë Liberale Demokratike, Monika Zajkova.
 
Profesori universitar, Vasko Naumovski, thotë se çështjet bilaterale shpërqendrojnë vendin nga fokusi për përmbushjen e kritereve të Kopenhagës dhe të standardeve evropiane. Thekson dallimet që bëhen në kushtet e vendeve aspirante.
 
“Në rastin tonë, ne jemi në një situatë absurde, kur tashmë bisedohet për anëtarësim të Ukrainës, Moldavisë në BE, derisa për vendet e Ballkanit Perëndimor që janë shumë më përpara se këto dy shtete, kemi pengesa bilaterale.”, - u shpreh profesori universitar, Vasko Naumovski.
 
E ndërkohë, Naumovski nuk është optimist se në Bullgari do të ketë pushtet politik stabil për të arritur në një zgjidhje të përbashkët dypalëshe. Këto komente u thanë në panel diskutimin mbi bashkëpunimin rajonal dhe eurointegrime, të mbajtur në Shtip nën organizimin e disa  instituteve dhe organizatave.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU