Botë
Republikanët fituan shumicën në Senat, Trampi shënon fitore absolute
14.11.2024 16:43
Zgjedhjet në ShBA përfunduan me një fitore absolute të Partisë Republikane....

Zgjedhjet në ShBA përfunduan me një fitore absolute të Partisë Republikane. Donald Trampi u kthye në Shtëpinë e Bardhë, fitoi shumicën në Senat, të cilën Partia Demokratike e kishte deri më tani dhe e mbajti atë në Dhomën e Përfaqësuesve. Senatori Xhon Tun është zgjedhur udhëheqës i shumicës në Senat, duke zëvendësuar senatorin Mic MekKonell, i cili ka mbajtur postin për 18 vitet e fundit.
“Populli amerikan hodhi poshtë me zë të lartë politikat e dështuara të agjendës së Bajdenit, Harrisit, Shumerit. Ne do të sigurojmë që presidenti dhe ekipi i tij të kenë mjetet dhe mbështetjen që u nevojiten për të zbatuar ligjet e sigurisë kufitare. Ne do të punojmë për të rivendosur dominimin energjetik amerikan dhe për të forcuar sigurinë tonë kombëtare.”, - deklaroi senatori republikan i Dakotës jugore, Xhon Tun.
Dhoma e Përfaqësuesve është aktualisht 218-208 për republikanët, me votat që ende numërohen në nëntë ulëse. SI-BI-ES parashikon që numri përfundimtar i vendeve republikane ka të ngjarë të arrijë midis 220 dhe 222.
“Kohët e rënda kërkojnë lidership serioz. Do të jetë një administratë dhe Kongres i drejtuar nga agjenda e politikave. Sinqerisht, ne duhet të rregullojmë pothuajse çdo fushë të politikës publike.”, - theksoi kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Majk Xhonson.
Ditën e djeshme, takimi Bajden-Tramp në Shtëpinë e Bardhë ka zgjatur rreth dy orë. Ata diskutuan çështje të Politikës së Brendshme dhe të Jashtme, luftën në Ukrainë. Bajdeni i premtoi Trampit një transferim paqësor të pushtetit.
“Presidenti Bajden përforcoi qëndrimin e tij se Shtetet e Bashkuara janë gjithmonë me Ukrainën dhe është në interesin tonë të sigurisë kombëtare. Një Evropë e fortë dhe e qëndrueshme, duke u përballur me agresorët dhe diktatorët dhe duke u kundërpërgjigjur ndaj agresionit të tyre është jetike për të siguruar që ne të mos tërhiqemi drejtpërdrejt në luftë.”, - u shpreh këshilltari për Sigurinë Kombëtare të ShBA-së, Xhejk Sullivan.
“Është e rëndësishme të kemi një tranzicion të qetë. Presidenti respekton vullnetin e popullit amerikan.”, - theksoi sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karin Xhen Pierre.
Ndërkohë vazhdon shpallja e nominimeve për postet drejtuese. Donald Trampi ka emëruar zyrtarisht senatorin nga Florida, Marko Rubio, për sekretar të Shtetit. Kongresmeni nga Florida, Met Getz, është nominuar për të qenë Prokuror i Përgjithshëm, pra ministër i Drejtësisë. Getz ka qenë një nga aleatët më të vendosur të Trampit, që nga viti 2017 kur ai hyri për herë të parë në Kongres.
FLUTURA LATIFI
