Bumçi: Shkupi po shkon drejt “putinizimit”

29.04.2015 17:28

Situata e krijuar politike në Maqedoni mblodhi në Tiranë Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme...

Në një seancë dëgjimore me zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, komisioni u informua mbi zhvillimet në Maqedoni.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko, konfirmoi  se faktori politik shqiptar ka qenë një faktor stabiliteti nga fillimi i krizës së tejzgjatur politike në Maqedoni.

“Nga ana jonë të gjitha zhvillimet janë ndjekur dhe është kontribuar nëpërmjet përfaqësisë tonë diplomatike dhe me mjete e mekanizma diplomatike në drejtim të rivendosjes së dialogut politik ndërmjet partive në Maqedoni dhe për të kontribuar në stabilitetin e këtij vendi. Po ashtu, për vetë rëndësinë që paraqet Maqedonia si vend, si ekspert nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme është caktuar zoti Bala, po ashtu ish ambasador me një karrierë të pasur”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko.

Por, caktimi i ambasadorit të ri shqiptar në Shkup ka mbetur në sirtarët e presidencës, pasi emërtimet nuk po dekretohen nga presidenti, Bujar Nishani.

Kryetarja e komisionit, Arta Dade, tha se është urgjent emërtimi i ambasadorit shqiptar në Maqedoni, sidomos në këtë periudhë krize politike.

“Ambasada jonë në Shkup ka një rol për të luajtur jo vetëm me Qeverinë e RM-së, por edhe me faktorin shqiptar atje, kështu që është një faktor shumë i rëndësishëm”- theksoi kryetarja e Komisionit për Politike të Jashtme, Arta Dade.

Për demokratët, kërkesa e ShBA-së dhe Perëndimit për të zbardhur atë që po ndodhë përmes përgjimeve të publikuara në Maqedoni, është një mesazh për t’i dhënë fund “putinizmit”, i cili po realizohet nga kryeministri, Nikolla Gruevski. Deklarata u bë nga deputeti, Aldo Bumçi, pas mbledhjes së Komisionit të Jashtëm.

“Është shumë e qartë që kriza në Maqedoni nuk ka shkaqe etnike. Është krizë e krijuar nga zbatimi i ‘putinzmit’. Një sistem autoritar që po zbatohet nga qeveria aktuale dhe kryeministri i cili po kontrollon institucionet e pavarura, median, godet opozitën dhe po zbaton modelin e Putinit në Maqedoni. Është një shqetësim i ngritur nga sekretari amerikan dhe vendet perëndimore për rrezikun e dobësimit të demokracisë në Evropën lindore dhe në Ballkan”- theksoi deputeti i PD-së, Aldo Bumçi.

Në nëntor të vitit të kaluar, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Petrit Bushati, ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë. Nga ajo ditë, në Maqedoni nuk është emërtuar ende ambasadori i ri.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit shqiptar vjen një ditë pas publikimit nga LSDM-ja të një bisede, ku ishte i përfshirë kryeparlamentari shqiptar, Ilir Meta. Por, nga Ministria e Jashtme  e Shqipërisë  thonë se skandali i përgjimeve në Maqedoni po shihet si çështje e brendshme dhe është herët për një qëndrim zyrtar nga Tirana, edhe pse pjesë e përgjimeve janë bërë zyrtarë shqiptarë. (Meral Ismaili, TVM2)