Botë

Goditet Bejruti pas urdhrit izraelit për evakuim

15.11.2024 12:04

Sulmet ajrore kanë goditur periferitë jugore të kryeqytetit libanez, pasi ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve që të evakuohen...

Sulmet ajrore kanë goditur periferitë jugore të kryeqytetit libanez, pasi ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve që të evakuohen. Agjencia kombëtare e lajmeve në Liban tha se një dron izraelit lëshoi dy raketa në Gobeir, në periferi të Bejrutit dhe më pas forcat ajrore kryen një sulm “shumë të rëndë” ajror që rrafshoi një ndërtesë afër zyrave komunale.
 
Sulmet e vazhdueshme ajrore izraelite në jug të Bejrutit kanë nxitur një eksod masiv të civilëve nga bastioni i Hezbollahut, edhe pse disa prej tyre kthehen gjatë ditës për të kontrolluar shtëpitë e tyre. Ushtria izraelite tha se ka shënjestruar “qendrat komanduese” të Forcave elite Radvan të Hezbollahut dhe raketahedhësit që janë përdorur për të kryer sulme kundër Izraelit. Ushtria tha se në ditën paraprake, forcat ajrore sulmuan mbi 120 caqe në mbarë Libanin, përfshirë depo të armëve, qendra komanduese dhe një numër të madh të raketahedhësve.
 
Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në tetor të vitit të kaluar. Hezbollahu është grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun ushtarak, por jo edhe grupin politik të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.