Maqedoni

Gjendja në Klinikën e Fëmijëve, Memedi: Bie vdekshmëria, trefish

15.11.2024 14:14

Drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi, iu përgjigj akuzave drejtuar Klinikës së Fëmijëve...

Drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi, iu përgjigj akuzave drejtuar Klinikës së Fëmijëve dhe personalisht atij për rastet e vdekjeve të tre fëmijëve, kohëve të fundit. Ai tha se personat që kanë bërë shpifje, dezinformata dhe pastrime raciste nuk kanë guxim të dalin publikisht, por fshihen pas një fejk profili në fejsbuk. 
 
“Kishte një tendencë për të treguar se kinse tani në këtë periudhë 3-4 muajshe sa jam unë drejtor, gjoja se në Klinikën e Fëmijëve ka një vdekshmëri  të lartë të  pacientëve, por faktet flasin të kundërtën. Nga tabela e treguar me të dhënat e sistemit informativ të klinikës, vihet re qartë se tani kemi një vdekshmëri gati dy herë më të ulët krahasuar me 5 vite më parë ose vdekshmërinë 3 herë më të ulët krahasuar me 9 apo 10 vite më parë kur kishte mesatarisht 9 vdekje në muaj, pra mesatarisht një vdekje çdo tre ditë, në një kohë kur të tjerët drejtonin Klinikën e Fëmijëve dhe kishte një Qeveri tjetër në vend.”, - deklaroi drejtori në Klinikën e Fëmijëve, Rexhep Memedi.
 
Memedi: Sistemi zjarrfikës, jashtë funksioni
 
Rexhepi po ashtu informoi se gjatë katër muajve në Klinikë ka hasur në probleme të ndryshme dhe të pazgjidhura prej vitesh.
 
“Në ditët në vazhdim do të prezantoj për këto probleme serioze, që i kemi hasur në këto tre-katër muaj, që disa prej tyre dhe janë me një rrezikshmëri të lartë. Do të potencoj kuzhinën ku përgatitet ushqimi për fëmijë në gjendje tepër të amortizuar me enë të vjetra mbi 20-vjeçare që bartin rrezikshmëri të lartë në procesin e përgatitjes së ushqimit. Kemi përgatitur projektin për renovimin e tërësishëm të kuzhinës, kemi problemin e ashensorëve që disa janë mbi 40 vite të vjetra, të amortizuara jashtë funksionit. Kemi, pastaj pjesën e stacionit të pompave, një hidrofor i cili siguron shtypje të lartë për hidrantët që i kemi në çdo repart, në rast të zjarreve fatkeqësisht këta hidrant nga 2018-ta janë jashtë përdorimit.”, - theksoi drejtori në Klinikën e Fëmijëve, Rexhep Memedi.
 
Në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve periudhë e kaluar ka pasur tre vdekje të fëmijëve. Për vdekjen e vajzës 14-muajshe, Memedi ka suspenduar dy persona mjekësor, ndërsa për vdekjen e foshnjës 8-ditore nga Strumica ka thënë se nga mbikëqyrja e ekspertit nuk janë konstatuar lëshime në mjekim. Për rastin e vajzës 5-vjeçare, raporti nga mbikëqyrja eksperte pritet javën e ardhshme.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI