Maqedoni
Reforma në gjyqësi, debat publik për Këshillin Gjyqësor
15.11.2024 14:38
Anëtarë të Këshillit Gjyqësor, Gjykatës Supreme, Organizata ndërkombëtare dhe qytetare...

Anëtarë të Këshillit Gjyqësor, Gjykatës Supreme, Organizata ndërkombëtare dhe qytetare, avokatë dhe ekspertë juridik kanë filluar punën për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për një Këshill Gjyqësor funksional dhe mbi të gjitha të pavarur, të lirë nga çdo ndikim politik. Gjëja e parë që u diskutua në debatin publik kushtuar reformave në Këshillin Gjyqësor ishte mënyra e nominimit dhe zgjedhjes së anëtarëve. Grupi i punës propozon censusin apo më së paku 51% nga gjykatësit të dalin në votime, ndërsa në rrethin e dytë të marrin pjesë ata kandidatë që kanë numër më të madh të votave. Nëse në fletën e votimit është vetëm një kandidat, atëherë gjykatësit të mund të votojnë për ose kundër.
“Mendoj se kandidatë për anëtarë të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjykatësve duhet të jenë ata që janë më mirë të vlerësuar, kjo paraqet një nivel të cilësisë. Mendoj se censusi prej 51% është shumë i lartë. Çka nëse nuk do të ketë një census të tillë?! Do të ishte një freski nëse pjesë e Këshillit do të ishin edhe profesorë universitarë të drejtësisë, sepse Këshilli Gjyqësor duhet ta mbrojë ndikimin e pushtetit ekzekutiv mbi atë gjyqësor.”, - deklaroi profesori universitar, Borçe Davitkovski.
“Asnjëherë nuk ka qenë problem censusi, por mirë është të jetë pasi që ajo jep një legjitimitet gjykatësit që është zgjedhur. Pra, nëse e kanë mbështetur një numër më i madh i gjykatësve, atëherë kjo do të ketë peshë të madhe.”, - theksoi anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Antoaneta Dimovska.
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, shpreson se konkluzionet e këtyre debateve do të shfrytëzohen për një zgjidhje cilësore, ku do t’i implementojnë edhe vlerësimin e Komisionit vlerësues. Optimizëm për përmirësimin e gjendjes sheh edhe kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
“Do t’i dëgjojmë mendimet e të pranishmëve dhe në fund të procesit do t’i kemi propozimet tona. Është e qartë se deri më tani funksionimi i Këshillit Gjyqësor është vënë në pikëpyetje disa herë.”, - u shpreh ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
“Vlerësoj se në bazë të të gjitha propozimeve dhe qëndrimeve të ekspertëve dhe palëve të respektuara në gjyqësor do të përgatitet një tekst cilësor që do të jetë në pajtueshmëri me rekomandimet e Komisionit vlerësues.”, - theksoi kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
Është planifikuar që debatet të përfundojnë në fund të muajit dhjetor kur dhe pritet të ketë konkluzion.
FLORIJE KAMBERI
