Maqedoni
BDI-ja akuzon Qeverinë për “deshqiptarizim”, Mickoski: Luftë me krimin, s’ka përkatësi etnike
15.11.2024 15:20
Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar pushtetin se po bën diskriminim etnik dhe “pastrim institucional”...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar pushtetin se po bën diskriminim etnik dhe “pastrim institucional” ndaj administratorëve shtetërorë dhe publikë, punonjësve të policisë dhe ata shëndetësorë me përkatësi shqiptare. Sipas tyre, komuniteti shqiptar po sulmohet nga një Qeveri pa legjitimitet. I bëjnë thirrje Qeverisë që të ndalojë menjëherë këto praktika, të cilat sipas tyre, jo vetëm që janë të padrejta, por minojnë edhe stabilitetin dhe kohezionin e vendit tonë. Apelojnë edhe komunitetit ndërkombëtar që të ndjekë nga afër këto zhvillime, që sipas BDI-së, VMRO-ja me sjelljen e vet po shkel parimet e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të barazisë.
“Nën maskën e një “patriotizmi” të rremë dhe të retorikës së “kthimit të Maqedonisë maqedonasve,” po kryhet një përpjekje sistematike për të degraduar dhe margjinalizuar profesionistët që i kanë shërbyer këtij shteti me përkushtim dhe profesionalizëm të pakontestueshëm. Punonjësit shqiptarë, të cilët kanë dëshmuar lojalitetin e tyre ndaj institucioneve dhe qytetarëve të këtij vendi, po degradohen dhe po largohen në mënyrë të padrejtë nga detyrat e tyre.”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
E menjëhershme ka qenë përgjigja e kryeministrit, Mickoski. Sipas tij, kjo retorikë është normale në kohën kur pushteti është vënë në kapjen e kriminelëve. Fton që deklaratave të tilla nga ky subjekt politik, mos t’u jepet vëmendje.
“Ashtu si do të arrijmë tek kriminelët, ashtu edhe do të ashpërsohet retorika, më nacionaliste, më irredentiste. Të parët kur të hynë në paraburgim, në proceset e para gjyqësore, retorika do të jetë edhe më e fortë. Mos mendoni se kjo ka ndonjë kuptim a logjikë. Kjo është luftë me krimin që s’ka përkatësi etnike apo partiake. Drejtësia vjen ngadalë. Tash ata, për ta mbrojtur krimin, mjet të vetëm e kanë këtë. Ju lutem, të mos u japim rëndësi.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Sipas Mickoskit, sjellja e BDI-së i irriton edhe partnerët ndërkombëtarë, ndërkaq thotë se nuk do të ndalet me zbatimin e drejtësisë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
