Maqedoni

Ajri i ndotur përplas partitë, VLEN: BDI-ja për 20 vite nuk ndërmori asgjë

15.11.2024 15:31

Cilësia e ulët e ajrit nuk është e çastit, por e trashëguar nga neglizhenca e BDI-së për 20 vite me radhë...

Cilësia e ulët e ajrit nuk është e çastit, por e trashëguar nga neglizhenca e BDI-së për 20 vite me radhë, thonë nga koalicioni VLEN, pas shënjestrimeve të integristëve për situatën alarmante me ajrin e ndotur. Sipas VLEN-it, pretendimet e BDI-së se qytetarët po thithin ajër të ndotur me faj të pushtetit, janë një përpjekje për manipulim dhe ikje nga përgjegjësia e tyre, pasi dikasteri i ekologjisë për 12 vite drejtohej nga kuadër i BDI-së. Nga VLEN-i thonë se në vend të agjendës së gjelbër të partisë së Ahmetit me deponi të egra, po ndërmarrim hapa konkret për zgjidhje reale.
 
“Nga 12 vitet e tyre, rezultatet janë zero dhe nuk janë të krahasueshme me të gjitha ato që janë ndërmarrë në vetëm 5 muajt tanë. Derisa BDI-ja krijoi deponitë, sot ato po pastrohen dhe mbyllen dhe po punohet në projekte për zbatimin e sistemeve moderne të menaxhimit të mbeturinave. BDI-ja nuk ka legjitimitet të flasë për mjedisin, sepse 20 vitet e tyre në pushtet kanë dëshmuar të kundërtën.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it. 
 
VMRO-DPMNE: Problemet nuk zgjidhen për 4 muaj
 
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se ndotja e ajrit nuk është problem që mund të zgjidhet për katër muaj, por kanë filluar të marrin masat e nevojshme.
 
“Qeveria ka zbatuar njërën nga masat për subvencionimin e kondicionerëve inverterë për qytetarët, e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Do të ofrohet subvencione për kompanitë që do të përdorin zgjidhje për energji të pastër. Do të vendosen kufizime të rrepta për burimet më të dëmshme të energjisë dhe do të kontrollohen ndotësit më të mëdhenj industrialë. Përveç kësaj, Qeveria do të fillojë edhe një program për pyllëzim masiv dhe pastrim të intensifikuar të hapësirave publike.”, thonë nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: As me buxhet nuk parashikohen masa
 
Por, sipas LSDM-së, të gjitha premtimet e pushtetit mbeten diskutabile, pasi ajri cilësor neglizhohet në projeksion-buxhetin për vitin 2025.
 
“Pushteti për cilësinë e ajrit ul financat për 51%, gjegjësisht nga 46 milionë në 22 milionë denarë. Mickoski paralajmëroi central me të cilën do të ulej ndotja, ndërkaq në buxhet nuk ka para për këtë. Nuk janë as 1 miliard euro investime për uljen e ndotjes për 50%.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
 
Në buxhetin e propozuar për vitin 2025, sipas LSDM-së janë ulur paratë për mjedisin jetësor dhe energjetikë. Dhe me politika të tilla, sipas opozitës, qytetarët do të vazhdojnë të thithin ajër të ndotur.
 
MERAL ISMAILI