Maqedoni
Kuvend, debat për propozim-buxhetin për vitin 2025
15.11.2024 15:51
Opozita vazhdon të kritikojë propozim-buxhetin për vitin 2025 dhe e cilëson atë si buxhet...

Opozita vazhdon të kritikojë propozim-buxhetin për vitin 2025 dhe e cilëson atë si buxhet pa ide që do të gjenerojë vetëm borxhe të reja dhe një vit tjetër të humbur ekonomikisht. Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, theksoi se nëse ky propozim-buxhet merr mbështetjen e shumicës së deputetëve, atëherë është një vendim që do ta vulosë vendin si të vetmin në rajon, që është i pakonsoliduar fiskalisht me një deficit mbi 3% të PBB-së.
“Në këtë buxhet nuk ka plan për rritjen e produktivitetit dhe konkurrencës së industrisë vendase, nuk parashikohen mjete për modernizim dhe inovacion teknologjik. Ky nuk është buxhet që mbështet progresin, ky është buxhet që e ngec ekonominë dhe na heq të drejtën për rritje dhe zhvillim ekonomik. Sjellja jofamiljare është edhe më shqetësuese në kushtet e një niveli të lartë të borxhit publik që do të kalojë kufirin e një niveli historikisht të lartë të borxhit publik prej 70.8%.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
“A parashihet në këtë buxhet që të hapen vende të reja të punës, që të tregojë se mund të zbusë ikjen e të rinjve. Nëse ka, do të kisha kërkuar të na jepet ndonjë shpjegim pak më i strukturuar. Cilat janë mekanizmat për zbutjen e varfërisë? Çka parasheh buxheti për decentralizim fiskal? Kam një pyetje edhe për VLEN-in. Si do të ecë përfaqësimi i drejtë, me sa për qind mund të avancohet dhe pse ka ulje të mjeteve në ato pozicione ku duhet të ketë përfaqësim të drejtë dhe adekuat.”, - theksoi Musa Xhaferi nga BDI.
Zëvendësministri i Financave, Jankullovski, duke mbrojtur propozim-buxhetin potencoi se është më se real dhe me këtë tempo të punës së Qeverisë do të arrihet gjithçka.
“Një situatë shumë e çuditshme që një ish zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike, që në vitin 2023 e ka lënë shtetin me 1% rritje, në 2022 me rreth 2% rritje dhe tash habitet se pse ne kemi planifikuar rritje prej 3.7% për 2025. Atë e planifikojmë në bazë të fakteve dhe projeksioneve serioze makro-ekonomike. E projektojmë bazuar në punën që kjo Qeveri e tregoi se si duhet bërë që nga ndryshimi i pushtetit e deri më tani.”, - u shpreh zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
“Vazhdojnë të shfaqin shqetësime të rreme për bashkëqytetarët e tyre dhe të kërkojnë fonde për projektet që patën mundësi t'i zbatojnë, por siç thash më herët, këto mjete veç më janë siguruar në 100 ditët e para të qeverisjes së Mickoskit. 204 amendamentet e tyre të dorëzuara janë gjithçka, por jo shqetësimi i vërtetë për qytetarët me të cilët bënë shaka për 7 vjet dhe i lanë në plot kuptimin e fjalës me bukë e kripë.”, - theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska.
Sipas Rregullores së re, debati në komision mund të zgjasë deri më 30 nëntor, pas së cilës projektbuxheti duhet të miratohet në seancë plenare. Buxheti për vitin 2025 duhet të votohet deri më 31 dhjetor.
SANIJE DURAKU
