Procesi euro-integrues i vendit, Mickoski: Nuk e di nëse do të shkojmë drejt BE-së
Qeveria nuk planifikon të lëvizë nga pozicioni aktual...

Qeveria nuk planifikon të lëvizë nga pozicioni aktual në lidhje me ndryshimet kushtetuese, ndaj kryeministri Hristijan Mickoski nuk e di nëse do të hidhet një hap drejt zhbllokimit të integrimit evropian. Mickoski siguron se ai dhe qeveria e tij janë të gatshëm për bisedime thelbësore për perspektivën e bllokuar të vendit në BE, por se për këtë duhet të ketë gatishmëri nga ana tjetër, duke iu referuar Bullgarisë. Edhe njëjherë përsëriti se nuk mendojnë për ndryshime kushtetuese.
“A do të ketë përparim - nuk e di, nëse do të ketë ndryshim në qëndrimin tonë - nuk do të ketë ndryshim, sepse është bazuar në parime dhe argumente dhe këtë e kemi thënë njëqind herë. Nëse ka një vullnet, ka një mënyrë, dhe kjo nuk varet vetëm nga ne, sepse për të “kërcyer” duhen dy, e ndonjëherë edhe më shumë. Në këtë rast, duhet të kemi një bashkëbisedues që do të jetë i gatshëm të bisedojë. Ne jemi të gatshëm, e paraqesim qëndrimin tonë kudo dhe nuk kemi dëgjuar kundër argumente të llojit – merre ose lëre, nuk është më kështu. Tani pozicioni është të gjejmë një zgjidhje dhe ne themi po, le të gjejmë një zgjidhje.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Ai ka bërë të ditur se gjatë dhjetorit do të vizitojë dy herë Brukselin, ku do të tentojë të bëjë një përparim, por pa lëvizur nga pozicionet e tij.
“Ne do të luftojmë, asgjë nuk do të na bjerë nëse do të ulemi me krahë të kryqëzuar ose do të tundim një flamur të bardhë siç ishte më parë, do të luftojmë, jeta është një luftë. Është e rëndësishme të fitojmë dhe mendoj se pas humbjeve në shtatë vitet e fundit, gradualisht po dalim nga ajo letargji dhe po fitojmë pak nga pak”. – u shpreh Mickoski.
Kryeministri këto komente i bëri me rastin vënies së gurthemelit për mbindërtimin e Sh:F "Aco Shopov" në Butel, nga ku paralajmëroi se deri në fund të muajit pritet të ketë dy investime të reja. (Ersan Pajaziti, TVM2)
