Zelenski: Putin nuk është i interesuar për negociata
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky...

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, se “nuk është i interesuar për negociata që t’i jepet fund luftës, por dëshiron bisedime me udhëheqësit e huaj për t’i dhënë fund izolimit të tij ndërkombëtar".
Zelensky, këtë prononcim e bëri pasi Putin një ditë më parë zhvilloi një bisedë telefonike me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
“Mendoj se Putini aspak nuk do paqe, por kjo nuk nënkupton se ai nuk dëshiron që të ulet me disa nga udhëheqësit [në tavolinën e negociatave]. Sepse për të, izolimi politik nënkupton shkatërrim. Është shumë fitimprurëse për të që të ulet, të bisedojë dhe të mos pajtohet”, tha Zelensky gjatë një interviste për transmetuesin ukrainas.
Megjithatë, Zelensky tha se Ukraina dëshiron t’i japë fund konfliktit sa më shpejt që të jetë e mundur dhe e pranoi se situata në fushëbetejën në lindje të vendit, ku Rusia po bën përparime, ishte e vështirë pasi ushtria ukrainase ka më pak ushtarë dhe më pak armë sesa ushtria ruse.
“Sa na përket neve, ne duhet të bëjmë gjithçka që kjo luftë të përfundojë vitin e ardhshëm, të përfundojë përmes diplomacisë”, tha Zelensky.
Ai poashtu ka thënë se dëshiron të bisedojë direkt me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe jo përmes ndërmjetësve.
Zelensky e kritikoi bisedën që Scholz realizoi me Putinin më 15 nëntor, duke paralajmëruar se kjo ka hapur “Kutinë e Pandorës”, duke minuar përpjekjet për të izoluar Putinin dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë “përmes paqes së drejtë”.
